back to top
Tuesday, August 19, 2025
BallinaLajmeNë Speciale mbahet seanca për përgatitjen e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së

Në Speciale mbahet seanca për përgatitjen e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së

Të ngjajshme

Dita Botërore e Fotografisë

Çdo vit, më 19 gusht, festohet Dita Botërore e...

Kryeziu: VV të ulet në tavolinë me subjektet e tjera, të negociojë

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu i ka bërë...

Aubrey Plaza flet për herë të parë pas humbjes së bashkëshortit

Aubrey Plaza ka rrëfyer për herë të parë dhimbjen...

Trump: Shpresoj që Putin të sillet mirë dhe nëse s’e bën, do të kemi një situatë të vështirë

Presidenti amerikan Donald Trump  përsëriti paralajmërimin e tij se...

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po mbahet konferenca statusore mbi përgatitjen e mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo konferencë, sipas trupit gjykues, synon që të bëhen përgatitje para se mbrojtja të nisë paraqitjen e provave të saj.

Të pranishëm në sallë plenare janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, ndërkaq Jakup Krasniqi po e përcjell seancën përmes video-lidhjes.

Në nisje të konferencës, trupi gjykues kërkoi nga mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit që të japë afate kohore se kur do të nxjerrë deklaratat për dëshmitarët.

Mbrojtja e Thaçit tha se nga 11 dëshmitarë, për pesë prej tyre ende nuk ka nxjerrë përmbledhje e deklaratave. Avokati i Thaçit, Lluka Misetiq tha se autorizim po presim për një dëshmitar nga Mbretëria e Bashkuar, ndërkaq katër të tjerë janë nga SHBA-ja.

Mbrojtja tha se dëshmitarët nga SHBA-ja janë figura të larta dhe të rëndësishme, por nuk zbuloi identetitet e tyre.

Qeveria e SHBA-së, tha mbrojtja, është duke punuar që të japë autorizimet e duhura për këta dëshmitarë, pasi sipas mbrojtjes, ata do të paraqesin informacione shfajësuese.

Prokuroria e Specializuar tha se do t’i duhet një muaj kohë nga koha kur mbrojtja të nxjerrë këto deklarata të dëshmitarëve, deri në paraqitjen e tyre në gjykatë. Por, mbrojtja tha se nuk është e obliguar që t’i nxjerrë përmbledhjet e tyre.

Mbrojtja e Hashim Thaçit njoftoi se do t’i duhen 35.5 orë për dhënien e dëshmisë së dëshmitarëve që do të thërrasë në rast.

Gjykatësi pyeti mbrojtjen nëse të 11-12 dëshmitarët që mbrojtja e Thaçit ka planifikuar të ftojë do të japin dëshminë para gjykatës, dhe avokatët konfirmuan se po.

Ndërkaq, mbrojtja e Jakup Krasniqit njoftoi se planifikon që dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatore, ndërkaq dy të tjerë do të japin dëshminë me shkrim dhe kjo dëshmi veçse u është dorëzuar prokurorëve.

Sipas kësaj përllogaritje, gjykatësi tha se do të duhen 35 ditë punë – pesë orë në ditë dëshmi – për përfundimin e dëshmitarëve, duke parashikuar se dëshmia e tyre mund të përfundojë në dhjetor.

I pyetur nëse të gjithë dëshmitarët do të japin dëshmi në seancë të hapura, Mishetiq tha se ky është synimi.

“Nuk mund ta themi 100 për qind – mund të ketë segmente që do të jenë në seancë private – por synimi ynë është që përgjithësisht seanca të jetë publike”, tha ai.

Mbrojtja e Thaçit tha se për katër dëshmitarë që po pret autorizimet, janë në bllokun e fundit të dëshmitarëve, që mbrojtja ka planifikuar të ftojë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Në konferencën e fundit statusore, të mbajtur më 22 korrik, ekipet e mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), janë ankuar se nuk kanë kohë të mjaftueshme për përgatitjen e rastit të tyre.

Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pas prokurorisë, radhën do ta kenë ekipet mbrojtëse për të paraqitur çështjen e tyre.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./REL/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz