Janë bërë gati 7 muaj nga vrasja makabre e Bekim Varit, 37-vjeçarit nga Ferizaj.
Vari i cili u varros 6 javë pas vrasjes mizore që tronditi gjithë opinionin, u gjet i groposur në një zonë të pyllëzuar në fshatin Manastirc.
Për këtë akt tronditës, në paraburgim ndodhet Leutrim Fejza, i cili po përballet me akuzën për “Vrasje të rëndë”, sipas nenit 173 të Kodit penal të Kosovës.
Burime të IndeksOnline bëjnë me dije se derisa hetimet po vazhdojnë, prokuroria ka intervistuar nënën e Bekim Varit.
Nëna e Bekimit ka dhënë dëshminë e saj, duke treguar për momentet e fundit që kishte me të birin.
Dyshimet e para në këtë fazë të hetimeve janë që Fejza këtë akt mizor e ka kryer në bashkëpunim me persona të tjerë.
Pas këtyre dyshimeve, prokuroria ka kërkuar nga Njësia e Kibernetikës detaje rreth dërgimit të mesazheve të Fejzës me persona të tjerë.
Sipas prokurorisë, besohet se vrasja ka ndodhur më 23 janar, ndërsa trupi i tij u gropos në një zonë të largët për të fshehur gjurmët e krimit, për të cilën ka dyshime se janë përfshirë disa persona.
Ndonëse po bëhën gati 7 muaj nga ky akt tronditës, prokuroria ende nuk ka ngritur një aktakuzë për këtë rast.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.