Vetëm pesë orë më parë, zjarrfikësit lokalizuan një zjarr që kishte shpërthyer në një objekt, i cili sipas informatave jozyrtare lidhet me Milosh Peroviçin, zyrtar i Listës Serbe dhe kandidat i kësaj partie në zgjedhjet lokale.
Skena e zjarrit këtë mëngjes ishte e rrethuar me shirita të verdhë. Dëmet materiale në ndërtesë janë të dukshme dhe ndihet era e djegies.
Siç u bindëm në terren, në afërsi të objektit ku shpërtheu zjarri është i angazhuar një automjet i Policisë së Kosovës.

Policia ka konfirmuar për Zubin Potok INFO se informacionin për zjarrin e kanë pranuar sot në mëngjes, në orën 04:20, përcjell Jepi Zë.
“Ka djegur kati i parë i shtëpisë, ku ndodhet shtypshkronja. Askush nuk është lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale. Deri më tani nuk ka të dyshuar,” tha Policia e Kosovës për Zubin Potok INFO.
ZP INFO mëson jozyrtarisht se policia dyshon që zjarri është vënë qëllimisht, por janë duke pritur fjalën përfundimtare nga ekspertët.
Për kujtesë, automjeti në pronësi të Milosh Peroviçit, në kohën kur ai ushtronte detyrën e zëvendësministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, ishte djegur në qendër të Zubin Potokut, herët në mëngjesin e 17 majit të vitit 2019.