Ishujt Marshall zhvilluan të enjten ndeshjen e tyre të parë në historinë e futbollit ndërkombëtar, duke u përballur me Ishujt Virgjër të SHBA-së – dhe kështu tani ka mbetur vetëm një shtet në botë që nuk ka luajtur kurrë një ndeshje zyrtare 11-me-11 në nivel ndërkombëtar.
Ky shtet është Nauru, një mikro-shtet ishullor i Paqësorit, i njohur më shumë për lojën e ragbitë, me një popullsi prej vetëm 12 mijë banorësh.
Debutimi historik i Ishujve Marshall
Shteti ishullor me rreth 42 mijë banorë udhëtoi drejt Arkansas-it në SHBA për të marrë pjesë në turneun Outrigger Challenge Cup, ku marrin pjesë gjithashtu Ishujt Turks dhe Caicos si dhe skuadra amerikane Ozark United U19.

Financimi i udhëtimit u sigurua përmes një fushate “crowdfunding” dhe shitjes së fanellave, duke mbledhur mbi 20 mijë paund, konfirmoi trajneri asistent Justin Walley.
Një numër i madh i lojtarëve marshallezë jetojnë në SHBA, ndërsa Arkansas ka komunitetin më të madh të tyre jashtë vendit.
Ndeshja përfundoi me fitoren 4-0 të Ishujve Virgjër të SHBA-së, që janë pjesë e FIFA-s dhe kanë zhvilluar pesë ndeshje ndërkombëtare vetëm gjatë vitit 2024.
Por për Ishujt Marshall, rezultati nuk ishte prioriteti – rëndësi kishte fakti që më në fund dolën në fushë si përfaqësuese kombëtare. Drejtori teknik Lloyd Owers tha për BBC:
“Kur e nisëm, nuk kishte as futboll e as pajisje bazike në vend. Sot kemi seanca stërvitore javore, programe edukimi për trajnerë dhe një rrjet global rekrutimi lojtarësh. Është e pabesueshme që kemi arritur deri këtu.”
Pas pritjes pesëvjeçare për debutimin, ata do të luajnë ndeshjen e dytë pas vetëm dy ditësh, ndaj Ishujve Turks dhe Caicos të shtunën.

Nauru – i vetmi shtet që nuk ka luajtur ende një ndeshje ndërkombëtare
Nauru ka një histori të kufizuar në futboll: në vitin 1994 luajti një miqësore jozyrtare ndaj një ekipi minatorësh nga Ishujt Solomon dhe në 2014 kundër një ekipi refugjatësh për Ditën Botërore të Refugjatëve.
Planet për një debutim ndërkombëtar janë diskutuar prej dy vitesh, por nuk janë realizuar. Në vitin 2023, anglezi Charlie Pomroy mori drejtimin e projektit, ndërsa ish-sulmuesi i Reading, Dave Kitson, u emërua trajner dhe ambasador futbolli.
Kitson, i cili ka synim të zhvillojë futbollin dhe të përmirësojë shëndetin e popullsisë (69,9% e të rriturve janë obezë sipas OBSH-së), deklaroi:
“Dua të lë pas diçka më të mirë se si e gjeta. Shpresoj të ndihmojmë fëmijët dhe rininë të angazhohen në sport.” /GazetaExpress/