Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar në Kosovë njoftoi se rreth orës 17:00 ka pranuar konfirmimin nga pala maqedonase se zjarri i raportuar më herët në pikën kufitare mes dy shteteve në Glloboqicë është lokalizuar, duke shtuar se tani kjo pikë është rihapur për qarkullim.
Më herët gjatë së premtes, kjo qendër tha se ishte njoftuar nga pala maqedonase se zjarret janë afruar afër rrugës së fshatit Jazhincë, ndërsa vendimin për mbylljen e kufirit e mori Ministria e Punëve të Brendshme.
Vendet e Ballkanit dhe një pjesë e mirë e kontinentit evropian po përballen këtë javë me temperatura rreth apo mbi 40 gradë Celsius.
Agjencia për Menaxhim Emergjent në Kosovë ka bërë të ditur më 14 gusht se i ka regjistruar 61 vatra zjarri, dhe që shumica janë lokalizuar.
Një ekip i Radios Evropa e Lirë e ka vizituar të martën fshatin Kçiq në Mitrovicë për t’i parë nga afër dëmet që i kanë shkaktuar zjarret në atë zonë.
Disa banorë janë shprehur shumë të shqetësuar, duke thënë se kanë humbur gjithçka që kanë pasur./Radio Evropa e Lirë/