Gjatë periudhës 8 deri më 15 gusht 2025, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, që vepron në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka trajtuar gjithsej 67 raste të reja në tërë territorin e Republikës së Kosovës, transmeton lajmi.net
Sipas të dhënave zyrtare, nga këto raste:
60 ishin raste të dhunës në familje,
2 raste të dhunimit,
1 rast i dhunimit në tentativë,
1 rast i sulmit seksual,
dhe 3 raste të lëndimit të lehtë trupor.
Po ashtu, janë paraqitur 12 kërkesa për Urdhër Mbrojtje (KUM) në gjykatë dhe 11 kërkesa për Urdhër Mbrojtje Emergjente (KUME). Gjatë kësaj periudhe, ka pasur edhe 2 kërkesa për ndryshim të urdhrit të mbrojtjes nga pala dhe 3 kërkesa për ndërprerje të tij.
Zyra ka marrë pjesë në gjithsej 27 seanca gjyqësore dhe 19 seanca në prokurori, si dhe ka dhënë 74 këshilla juridike për viktimat. Janë regjistruar 14 aktvendime të aprovuara dhe 1 aktgjykim dënues.
Përveç kësaj, mbrojtësit e viktimave kanë përfaqësuar raste në 3 raste në Qendrën për Punë Sociale (QPS) dhe në 4 raste në strehimore.
Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave mbetet e përkushtuar në ofrimin e mbështetjes ligjore, emocionale dhe institucionale për viktimat e krimeve, me fokus të veçantë në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës seksuale./lajmi.net/