Gjykata Komerciale e Kosovës, Shkalla e Dytë, ka vendosur në favor të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) në lidhje me vendimin për kalimin e rreth 1 mijë e 300 bizneseve prodhuese vendore në tregun e hapur të energjisë elektrike. Me këtë vendim, i cili ka marrë formë të prerë në këtë fazë, refuzohet kërkesa e paditësve për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ZRRE-së, duke i dhënë kështu të drejtë rregullatorit që të zbatojë masën.
Sipas aktgjykimit të Shkallës së Dytë ankesa është aprovuar si e bazuar ankesa e të paditurit Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke ndryshuar vendimin e mëparshëm të Gjykatës Komerciale, Shkalla e Parë.
Ky zhvillim ka nxitur reagime në komunitetin e biznesit, veçanërisht nga Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB), e cila më herët kishte vlerësuar të drejtë vendimin e Shkallës së Parë që anulonte masën e ZRrE-së. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha për Periskopin se ndonëse vendimet gjyqësore duhen respektuar, ZRRE-ja duhet të kishte marrë parasysh të drejtën e bizneseve për të ndjekur procedurat ankimore.
Ai theksoi se Aleanca do t’i drejtohet Gjykatës Supreme me ankesë dhe deri në shqyrtimin e saj, vendimi nuk duhet të zbatohet. “Në demokraci duhet të mësohemi që pavarësisht nëse vendimet janë favorizuese ose disfavorshuese për palët, ato duhet të respektohen”, tha Shahini.
Ai apeloi që bizneset të vazhdojnë aktivitetin e tyre dhe të ndjekin procedurat ligjore, duke theksuar se Kushtetuta e Kosovës u garanton të drejtën e mbrojtjes në gjykatë. Megjithatë, Shahini paralajmëroi se situata e krijuar nga çmimi i lartë i energjisë elektrike po i vendos bizneset vendore në pozitë të vështirë dhe po e bën Kosovën një nga vendet më të shtrenjta për investitorët e huaj.
“Bizneset gjithmonë kanë qenë të goditura, mbesin të goditura, të pambrojtura, dhe pikërisht Kosova po bëhet një nga vendet më të shtrenjta për investitorët e huaj. Tek ne nuk do të vijë askush për të investuar dhe zhvilluar vendin. Përkundër kësaj, shumica e bizneseve tashmë të prekura nga kjo goditje me çmim të shtrenjtë do të ikin nga Kosova dhe do të gjejnë treg jashtë Kosovës”, u shpreh ai.
I pyetur nëse do të ketë takime me deputetë apo me Avokatin e Popullit, Shahini konfirmoi se do të shfrytëzohen të gjitha mjetet ligjore për mbrojtjen e interesave të bizneseve. “Natyrisht që po. Ne do të kërkojmë të gjitha të drejtat tona për t’i mbrojtur, qoftë te Avokati i Popullit, partitë politike apo deputetët të cilët e gëzojnë të drejtën me procedu këtë ankesë në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi ai.
Në qendër të debatit qëndron vendimi i ZRRE-së që të gjitha bizneset me mbi 50 punëtorë apo me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit të kalojnë në tregun e hapur të furnizimit me energji elektrike, gjë që po kundërshtohet nga komuniteti i biznesit me arsyetimin se në Kosovë ende nuk ka operatorë të mjaftueshëm dhe seriozë për furnizim të qëndrueshëm e konkurrues me energji.