Reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka ngjallur reagime të forta dhe komente të ashpra në rrjetet sociale.
Në një postim zyrtar, VV-ja e cilësoi aktgjykimin e Kushtetueses si “devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues”, duke akuzuar Gjykatën se ka shpikur arbitrarisht rregulla për të ndikuar në proceset politike.
“Gjykata Kushtetuese ka zgjedhur të mos e ruajë rendin kushtetues, por të shpikë rregulla arbitrare që nuk i gjejmë askund në Kushtetutë apo në Rregulloren e Kuvendit,” thuhet ndër të tjera në deklaratën e partisë në pushtet.
Ky reagim, megjithatë, është përballur me një valë komentesh nga qytetarët në Facebook, të cilët kanë kritikuar ashpër Vetëvendosjen dhe qëndrimin e saj ndaj institucioneve të pavarura të shtetit.
“Në Kosovë s’ka Gjykata e as Shtet funksional se përndryshe në një Shtet ligjor ju nuk do lejoheshit fare të garonit e as të regjistroheshit si subjekt Politik.Një Parti qe nuk e njeh Shtetin natyrisht qe nuk e njeh asnjë vendim e asnjë Gjykatë të atij Shteti, por ka budallenjë me bollëk sa të ju votojnë vazhdoni…” ka shkruar një komentues.
Të tjerë kanë shkuar edhe më larg në kritika.
“Nuk ka justifikim respektone kushtetun e republikes e kosoves se ju e keni shkel “SUPER KRIMINELA” e then nga vet goja e albin kurtin ai qe e shkel kushtetuten eshte super kriminel Se ju as parti sjeni Jeni sekt partiak qe besoni ne Albinin”, shkruan një tjetër.
Pati edhe komente me tone më të rënda dhe akuza të drejtpërdrejta politike:
“Ju jeni super kriminela të Vuçiqit, jaran! E morët një popull në qafë, marre ju qoftë!” thuhet në një tjetër reagim të ashpër.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese sot ka shpallur të pavlefshme disa nga seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës dhe ka kërkuar përmbushjen e procedurave kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.