Ambasada Gjermane në Kosovë ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngërçin institucional në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar nevojën për veprim të përgjegjshëm dhe bashkëpunim politik në funksion të zgjidhjes së situatës.
Ambasada Gjermane ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është procedural dhe tani u takon politikanëve që të veprojnë në përputhje me të, raporton lajmi.net
“Ne e vlerësojmë që Gjykata Kushtetuese ka dalë me një vendim procedural. Tani politikanët duhet të veprojnë në përputhje me të, në mënyrë që kosovarët më në fund të marrin parlamentin për të cilin kanë votuar para gjashtë muajsh,” thuhet në deklaratën e ambasadës për RTK.
Gjithashtu, është bërë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje të realizueshme brenda afatit të përcaktuar kushtetues, si dhe për ndërtimin e një konsensusi që do t’i japë fund bllokadës politike.
“Ne presim një zgjidhje të realizueshme brenda afatit dhe u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë të veprojnë drejt një kompromisi,” përfundon reagimi.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese sot ka shpallur të pavlefshme disa nga seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës dhe ka kërkuar përmbushjen e procedurave kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit./Lajmi.net/