Shtetet e Bashkuara e kanë dyfishuar shpërblimin për personat që ofrojnë të dhëna që do të çonin në arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, duke e akuzuar se ai është “njëri nga trafikuesit më të mëdhenj të narkotikëve në botë”. Shpërblimi u çua në 50 milionë dollarë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, është kritikues i vjetër i Maduros, i cili u rikthye në pushtet në janar pas zgjedhjeve të dyshimta për keqpërdorim të votave. Rezultatet e garës u hodhën poshtë gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, raporton televizioni BBC.
Kryeprokurorja e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, tha se vendi i saj do ta dyfishojë shpërblimin prej 25 milionë dollarësh dhe shtoi se Maduro është drejtpërdrejt i lidhur me operacionet e trafikimit të drogës.
Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, tha se lajmi për dyfishimin e shpërblimit për arrestimin e Maduros është “patetik” dhe “propagandë politike”.
“Ne nuk jemi të befasuar, kur kjo vjen nga ata që vjen” – tha kryediplomati venezuelas, duke e akuzuar zonjën Bondi se po bën përpjekje për një “shpërqendrim dëshpërues” nga kryetitujt e mediave që lidhen me reagimet për trajtimin e rastit të abuzuesit seksual, Jeffrey Epstein.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara i kishin akuzuar Maduron dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Venezuelës me një varg shkeljesh, përfshirë narko-terrorizmin, korrupsionin dhe trafikimin e drogës.
Në atë kohë, Departamenti i Shtetit i ShBA-së kishte pretenduar se Maduro kishte punuar me grupin rebel kolumbian, Farc, për ta “shfrytëzuar kokainën si armë për t’i “vërshuar” Shtetet e Bashkuara”.
Në një video të publikuar në rrjetin X të enjten, Bondi e akuzoi Maduron për bashkërendim me grupet si Tren de Aragua – bandë venezuelase të cilën administrata e Trumpit e ka shpallur organizatë terroriste – dhe Karteli Sinaloa, rrjet i fuqishëm kriminal me bazë në Meksikë.
Kryeprokurorja amerikane pretendoi se agjencia amerikane kundër drogës, DEA, kishte “konfiskuar 30 tonë kokainë të lidhur me Maduron dhe bashkëpunëtorët e tij, me gati shtatë tonë të lidhur me vetë Maduron”.
Presidenti i Venezuelës në të kaluarën i ka hedhur poshtë pretendimet e Shteteve të Bashkuara se ai është i përfshirë drejtpërdrejt në trafikimin e drogës.