Ardon Jashari, i cili sapo ka mbërritur te Milan, dha intervistën e tij të parë për televizionin e klubit.
“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme të jem këtu pas këtyre javëve. Jam krenar që jam në këtë klub historik. Dua ta ndihmoj këtë ekip të kthehet aty ku i takon, të fitojë tituj dhe do të jap gjithçka për të arritur këtë qëllim. Interesi i Milan më bëri menjëherë krenar. Ishte një ëndërr që e kisha pasur që kur isha fëmijë. Ishte klubi që ishte gjithmonë i pranishëm në familjen time dhe në grupin tim të miqve, kështu që mund të them se ëndrra është bërë realitet”, tha Ardoni.
Mesfushori më pas foli për karakteristikat e tij teknike, duke thënë se do ta ndihmojë ekipin si në sulm ashtu edhe në mbrojtje.
“Do të përpiqem të bëj pasimin e fundit dhe t’i ndihmoj shokët e skuadrës të shënojnë. Lojtarët e Milan nga e kaluara që i kam admiruar më shumë? Roberto Baggio dhe Andrea Pirlo Më pëlqente shumë mënyra se si luanin, ishin teknikë dhe të fortë, krijues në pasimin e fundit. Kjo është ajo që përpiqem të bëj”, rrëfeu ai më tej.
Sa i përket faktit se do të ndajë mesfushën me një fitues të Topit të Artë si Luka Modric, Jashari tha se “është fantastike”.
“Udhëtimi im nis përkrah një lojtari kaq të pabesueshëm, i cili ka fituar kaq shumë. Ai vetëm mund të më ndihmojë, dua të mësoj gjithçka prej tij dhe të dëgjoj të gjitha mësimet e tij, brenda dhe jashtë fushës. Megjithatë, është një gjë fantastike të jesh pjesë e këtij klubi fantastik.”
I pyetur përse zgjodhi fanellën me numrin 30, talenti shqiptaro-zviceran tha: “Fillova me këtë numër në Zvicër, e zgjodha sepse gjithmonë e kam dashur Messin, i cili filloi me këtë numër. Ai më ndihmoi shumë, si në Zvicër ashtu edhe në Belgjikë, shpresoj ta bëj një numër historik.”/Indeksonline/