Qeveria e Kosovës sot doli me një njoftim për takimin që pati kryeministri në detyrë, Albin Kurti me të ngarkuarën me punë në ambasadën amerikane, Anu Prattipati.
Në njoftimin e bërë, Qeveria e Kosovës fshehu kërkesën që Prattipati ia bëri Kurtit për zhbllokim sa më të shpejtë të institucioneve, transmeton lajmi.net
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, e cila po shoqërohej nga Drejtoresha e misionit të USAID-së në Kosovë, Eileen Devitt.
Zhvillimet e fundit në vend dhe aktualiteti politik, krahas çështjeve tjera të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin tema të diskutimit të sotëm.
Në këtë takim që ishte edhe takim lamtumirës për Drejtoreshën e misioni të USAID-së në Kosovë, znj. Devitt, kryeministri e falënderoi atë për përkushtimin dhe kontributin e saj në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, duke i uruar shëndet dhe suksese në angazhimet e tjera profesionale.
Por, kjo u demantua në reagimin e Ambasadës së ShBA-ve. Ky ishte njoftimi i plotë:
E ngarkuara me punë, Prattipati u takua sot me Kryeministrin në detyrë Albin Kurti për të theksuar nevojën urgjente që liderët politikë të Kosovës të marrin përgjegjësi dhe të punojnë së bashku për të zgjidhur bllokadën institucionale që po vazhdon. Ajo theksoi se një demokraci funksionale kërkon që të gjithë qytetarët të kenë mundësinë të zgjedhin lirshëm përfaqësuesit e tyre. Bllokimi i partive politike legjitime, qoftë përmes taktikave politike apo pengesave procedurale, e cenon integritetin e procesit demokratik. E ngarkuara me punë Prattipati u bëri thirrje të gjithë liderëve që të tejkalojnë ndarjet dhe të përmbushin mandatin që u është besuar nga populli i Kosovës.
Nesër mbaron pauza e vendosur nga Gjykata Kushtetuese për punën e Kuvendit dhe pritet që të dal me një vendim që pritet t’i jap drejtim ngërçit institucional./lajmi.net/