Policia e Kosovës, respektivisht Sektori Rajonal i Hetimeve/DRP- Prizren në mbështetje edhe të njësive tjera relevante, ka zhvilluar një operacion policor i cili ka rezultuar me arrestimin në flagrancë të NJË të dyshuari për veprën penale Fajde.
‘’Me datën 06.08.2025, Policia e Kosovës pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, ka zhvilluar një operacion policor me qëllim të arrestimit të personit të dyshuar, i cili dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar presion ndaj viktimës mashkull kosovar me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes, me çrast ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës dhe e ka detyruar viktimën të veproj në dëm të pasurisë së tij’’ thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se gjatë operacionit policor i dyshuari është arrestuar në flagrancë duke pranuar mjete financiare në emër të kamatës së fajdesë, ku me urdhër verbal të prokurorit të shtetit është kontrolluar shtëpia dhe objektet tjera përcjellëse të tij.
Lidhur me rastin pas intervistimit të personit të dyshuar, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren të njëjtit i caktohet masa e ndalimit për 48 orë./Indeksonline/