Vetëm pak ditë pasi Ivica Daçiç tha se Serbia u mashtrua me pretekstin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe pavarësisht deklaratave pompoze për aftësitë e tij të shkëlqyera negociuese, Presidenti serb Aleksandar Vuçuq po përpiqet gjithashtu t’ia atribuojë përgjegjësinë për situatën në Kosovë bashkësisë ndërkombëtare.
Në fjalimin e tij me rastin e përvjetorit të Stuhisë, Vuçiq ka folus kinse si u mashtrua në negociatat e tij.
Sipas Nova, Vuçiq dhe Daçiq pranuan publikisht se shkelën Kushtetutën për t’i bërë lëshime bashkësisë ndërkombëtare dhe për të mundësuar afirmimin institucional dhe ndërkombëtar për Kosovën.
“Tre vjet e gjysmë më parë patëm zgjedhje në veri të Kosovës. Ata i njohën zgjedhjet me një pjesëmarrje prej dy përqind e gjysmë. Dhe ky ishte sundimi i ligjit dhe demokracia. Turp për ju, ju kopila. Më çuat në Moldavi atje për të më thënë: ‘Jo, jo, ne kurrë nuk do ta pranojmë këtë. Evropa Perëndimore e Lirë kurrë nuk do ta pranojë këtë. Vetëm kini durim z. President, prisni pak, së shpejti do të keni zgjedhje të reja, serbët do të fitojnë’. A u zhvilluan zgjedhjet? Nuk u zhvilluan”, tha Vuçiq.
Kjo deklaratë vjen pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, ish-kryeministrit Ivica Daçiq, firma e të cilit është në Marrëveshjen e Brukselit.
“Është mashtrim sepse nuk na e thanë këtë kur nënshkruam marrëveshjen e Brukselit. Ne i kemi lidhur të gjitha ato marrëveshje me mirëbesim vetëm për të arritur kompromise që do të ishin në interes të të gjithëve në Kosovë. Dhe në fund, Serbia bëri gjithçka, dhe pala e Prishtina filloi të bojkotonte gjithçka që nga fillimi, me mbështetjen e hapur të disa vendeve”, tha Daçiq.
Shpejt erdhën mohimet nga Komisioni Evropian, i cili deklaroi se si pala serbe ashtu edhe ajo e Kosovës hynë në nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit “me vetëdije dhe me vullnetin e tyre të lirë”.
“Si Kosova ashtu edhe Serbia i kanë hyrë marrëveshjeve plotësisht me vetëdije dhe me vullnetin e tyre të lirë. Këto marrëveshje mbeten në fuqi. BE-ja pret që të dyja palët të kontribuojnë në një atmosferë të favorshme për pajtimin dhe normalizimin me deklaratat dhe veprimet e tyre”, thanë ata nga Brukseli.
Aleksandar Popov nga Qendra për Politika Rajonale thotë se nuk mund të jetë se bashkësia ndërkombëtare e ka mashtruar Vuçiçin, por se ai “e ka mashtruar veten”.
“Për shkak të një gjëje simbolike, dua të them targat, të cilat një vit e disa vite më vonë Serbia i pranoi pa kufizime, pa asgjë, ishte arsyeja për ato barrikada dhe heqjen e uniformave të zyrtarëve të Policisë në Kosovë. Lista serbe i hoqi uniformat e tyre para kamerave, kështu që serbët në veri mbetën pa mbrojtje. Pastaj u tërhoqën nga institucionet, ku tani janë ulur shqiptarët. Ju qëlloni veten në gju për t’u hakmarrë. Fajtori kryesor për mosrealizimin e Asociacionit të Komunave Serbe është në fakt Vuçiq”, thotë Popov.
Popov deklaron se Vuçiq është fajtor sepse ai nisi secilin prej veprimeve të kryera në veri të Kosovës përmes Listës Serbe.