Nata e tretë dhe e fundit e festivalit më të madh në Kosovë, Sunny Hill Festival, do të sjell performancën audiovizuale nga Anyma – projekti solo i Matteo Millerit, i cili do të mbyllë skenën kryesore me një udhëtim të paharrueshëm muzikor dhe vizual.
Në skenën C4, festivali do të përmbyllet sonte me sensacionin global Peggy Gou, DJ dhe producente e hitit viral “(It Goes Like) Nanana”, e cila do të sjellë një prej seteve më të pritura të këtij edicioni.
Kurse, mbrëmë kanë performuar Shawn Mendez me hitet e tij të shumta botërore, dhe DJ i njohur nga Brazili – Mochakk.
Aty u pa edhe këngëtarja nga Kosova me famë botërore Dua Lipa me të fejuarin e saj.
Sunny Hill Festival, nisi të shtunën në fshatin Bërnicë të Prishtinës, ku për tri netë me radhë ngjiten në skenë emra të mëdhenj të muzikës botërore dhe shqiptare.
Edicioni i sivjetmë është hapur nga ylli me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, e cila tha se ka thënë se është kënaqësi që ka pasur mundësi ta krijojë një festival në Kosovë me familjen e saj.
“Tash na bëhen gjashtë vjet dhe po më duket çdo vit po bëhet mirë e më mirë”, ka thënë Dua Lipa.
Ajo pasi falënderoj familjen e saj tha se “Kosova ka lezet, t’i tregojmë krejt botës”, derisa ka ndezur menjëherë atmosferën me përformancën e saj.
Dua Lipës në skenën e festivalit ‘Sunny Hill’ i është bashkuar edhe baba i saj, Dukagjin Lipa.
Të dy ata së bashku kanë kënduar këngën e Gjurmëve ‘Era’.