back to top
Saturday, August 2, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditKriza në Kosovë, Euronews: Gjykata do të “zgjedh” mes votimit të fshehtë...

Kriza në Kosovë, Euronews: Gjykata do të “zgjedh” mes votimit të fshehtë dhe të hapur – çfarë thonë VV, PDK, AAK për zgjedhjet

Të ngjajshme

Zvogëlohet koha e pritjes në pikat kufitare

Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar ka bërë përditësimin e...

Europa e prekur këtë verë nga thatësira rekord

Muajin e kaluar u regjistrua një thatësirë rekord në...

Pas dhjetëra përpjekjeve të dështuara për të zgjedhur për konstituimin e Kuvendit, të premten e javës së ardhshme, më saktësisht me 8 gusht, pritet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të sqarojë metodën e votimit për kryetarin e Kuvendit dhe për të përcaktuar nëse ka skaduar afati kushtetues 30-ditor për formimin e tij, shkruan Gazeta Express.

Më 24 korrik, gjykata vendosi një masë të përkohshme që ndalon deputetët të ndërmarrin hapa për konstituimin e Kuvendit deri më 8 gusht, kur kjo ndalesë skadon dhe pritet një vendim i ri.

Partia Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, me prirje të majta, fitoi 48 ulëse në zgjedhjet e muajit shkurt, por nuk arriti të sigurojë shumicën në Kuvendin me 120 vende.

Që nga seanca konstituive më 15 prill, janë zhvilluar dhjetëra raunde votimesh pa sukses. Kryeministri në detyrë dhe partia e tij ende po përpiqen të shmangin mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Sigurisht, nuk jemi të interesuar për zgjedhje të reja, nëse merret vendimi për të shkuar në zgjedhje të reja, atëherë do ta respektojmë këtë dhe do të ecim përpara me të. Gjykata Kushtetuese e sheh këtë si të vetmen mundësi për të dalë nga kjo situatë”, tha për Euronews Saranda Bogujevci, deputete e Vetëvendosjes.

Kriza qëndron te procedurat e votimit: Vetëvendosje propozon votim të fshehtë, ndërsa opozita kërkon votim të hapur, siç e parasheh Kushtetuta.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Presidentja Vjosa Osmani kanë kërkuar ndarazi interpretim nga Gjykata Kushtetuese, pasi vendimi i saj i 26 qershorit nuk arriti të zgjidhë ngërçin.

Sipas deputetit Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), zgjedhja e Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si kryetare e Kuvendit është një tjetër pikë kyçe në përplasjen e ashpër mes Kurtit dhe opozitës.

Vetëvendosje propozoi votimin e fshehtë si mënyrë për të bindur disa deputetë opozitarë të votojnë për kandidatin e saj pa u përballur me ndëshkime nga partia e tyre.

Megjithatë, partitë opozitare e hodhën poshtë këtë propozim si antikushtetues, duke e çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese si arbitrin e mundshëm. Por deputetët opozitarë mbetën të bindur se kriza nuk mund të zgjidhet pa zgjedhje të reja.

“Kërkesa e vetme ishte që votimi të jetë i hapur dhe kandidati për kryetar Kuvendi të ndërrohej. Po e shoh që shumë shpejt do të shkojmë në zgjedhje,” deklaroi Haradinaj.

“Institucionet e Kosovës janë peng i kokëfortësisë së Albin Kurtit. Ne kemi ofruar kompromiset tona, por për fat të keq, udhëheqësi i partisë në pushtet refuzon çdo ide bashkëpunimi,” tha deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, transmeton Gazeta Express.

“Kosova dhe e ardhmja e saj janë shumë më të rëndësishme se karriera politike e Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut,” përfundoi ajo.

Nga ana tjetër, deputetët e Vetëvendosjes besojnë se një vendim i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2014 ka vendosur një precedent që i jep të drejtë partisë fituese të propozojë dhe zgjedhë kryetarin e Kuvendit.

Sipas tyre, kërkesat e opozitës për zbatim kushtetues janë vetëm një justifikim për të penguar formimin e një qeverie të re të udhëhequr nga Kurti.

“Ata e refuzuan koalicionin, po. Por sipas mendimit tim, nuk kishin një arsye të vlefshme pse e refuzuan, nëse flasim në të mirë të vendit,” përfundoi Bogujevci. /GazetaExpress

- Advertisement -

Të Fundit