Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar pasi tre persona vdiqën të hënën, më 21 korrik, si pasojë e lëndimeve në vendin e punës.
“Inspektorati Qendror i Punës është angazhuar me të gjitha kapacitetet e tij njerëzore dhe ligjore për të hetuar rrethanat e këtij rasti dhe për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në reagim.
Të hënën, dy persona kanë humbur jetën si pasojë e një incidenti të ndodhur në një objekt ndërtimi, në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë.
Dy persona janë ndaluar për 48 orë pas kësaj ngjare tragjike dhe ndaj tyre do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, njoftoi Prokuroria Themelore në Gjakovë, të hënën.
Inspektorati ka bërë të ditur se subjekti ku ndodhi aksidenti ka qenë më herët dy herë i gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje të përsëritura në këtë fushë.
“Kjo e bën edhe më të papranueshëm faktin që nuk janë ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve”
Inspektorati ka bërë thirrje për ndërgjegjësim publik dhe institucional.
“Duke qenë se aksidentet në vendin e punës përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve, bëjmë thirrje publike për të gjithë punëdhënësit, subjektet afariste dhe institucionet relevante që të ndërmarrin masa konkrete dhe të menjëhershme për parandalimin e rreziqeve në vendin e punës, në përputhje me Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe aktet nënligjore në fuqi”, thuhet në reagim.
Sipas Inspektoratit, ky institucion ka ndërmarrë hapa konkretë për forcimin edhe më tej të kapaciteteve inspektuese, përmes procedurave të rekrutimit të inspektorëve të rinj.
“Në këtë kuadër, është zhvilluar një procedurë për rekrutimin e 60 inspektorëve të rinj , e cila është anuluar nga ana e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Pavarësisht kësaj pengese administrative, Inspektorati Qendror i Punës nuk ka ndalur përpjekjet dhe aktualisht është në proces të për rekrutimin e 59 inspektorëve të rinj në të cilën procedurë kanë përfunduar të gjitha vlerësimet e kandidatëve”, thuhet në reagim.
Inspektorati Qendror i Punës ka thënë se në gjashtë mujorin e parë ka kryer 4751 inspektime, ka shqiptuar 788 gjoba ndërkaq, kanë ndodhur 268 aksidente.
“Ndërsa nga janari deri më sot kanë ndodhur 7 aksidente me fatalitet dhe kjo është shifra zyrtare nga Inspektorati Qendror i Punës, të gjitha shifrat e tjera që ipen nga persona të tjerë të paautorizuar dhe jokompetent nuk janë të sakta dhe krijojnë pasiguri dhe dezinformojnë opinionin publikë”, përfundon reagimi.
Të hënën, edhe një tjetër person i cili ishte lënduar në vendin e punës, ka ndërruar jetë.