back to top
Wednesday, July 23, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditDëshmia e Rade Nedelkoviq në rastin Banjskë: “Radoiçiq e pranoi vetë përgjegjësinë”

Dëshmia e Rade Nedelkoviq në rastin Banjskë: “Radoiçiq e pranoi vetë përgjegjësinë”

Të ngjajshme

Rade Nedelkoviq, roje në hotelin “Ranska Banja” dhe banor i fshatit Banjskë, dëshmoi në seancën gjyqësore të së martës lidhur me rastin e sulmit në Banjskë. Ai deklaroi se Milan Radoiçiq ka qenë organizatori i sulmit dhe se, sipas tij, këtë e ka pranuar vetë Radoiçiqi.

“Po, ai vetë e ka pranuar. Çfarëdo që mendoj unë, ai vetë e ka marrë përgjegjësinë. Por ka mundësi,” tha Nedelkoviq para trupit gjykues.

Dëshmitari tregoi se ka jetuar në fshatin Banjskë për 60 vjet dhe se mëngjesin e 24 shtatorit kishte parë persona të armatosur me uniforma pranë hotelit ku punon. Ai i kishte paralajmëruar që të largoheshin nga tarraca e hotelit.

“Vetura nuk kam parë, por kam parë disa prej tyre të uniformuar. I kam paralajmëruar që të largohen nga tarraca e hotelit ‘Rashka Banjska’. Ata kanë qenë te ura atje, mundet dikush t’i vret. Kanë ardhur aty, i ka urdhëruar, pastaj janë larguar,” deklaroi ai.

Gjatë pyetjeve nga Prokurori i Shtetit, Naim Abazi, Nedelkoviq përmendi se një person i plagosur kishte mbetur për të fjetur në një nga dhomat e hotelit, por ai nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur më pas.

“Ka mbetur që të flejë në një dhomë. Unë të nesërmen kam shkuar në shtëpi dhe çka ka ndodhur, nuk e di,” u përgjigj ai.

Prokurori e pyeti gjithashtu për një deklaratë të mëparshme, në të cilën ai kishte përmendur se disa persona e kishin dorëzuar të plagosurin dhe më pas ishin nisur drejt manastirit.

“Ata kanë shkuar në këmbë nëpër shkallë,” konfirmoi dëshmitari.

Nedelkoviq tha se e kishte strehuar të plagosurin në hotel pas një telefonate nga shefi i tij, Ivan Filimonoviq.

“Nuk është që më ka urdhëruar, por më ka thënë që t’ia jap dhomën numër 6,” tha ai.

Lidhur me evidencën e mysafirëve, dëshmitari shpjegoi se:

“Lista mbetet tek ata. E kanë librin ku mbajnë evidencë të mysafirëve, sa ditë qëndrojnë aty.”

Ai u pyet edhe për emrin “Sliviq” që kishte përmendur më parë në një deklaratë:

“Nuk e njoh,” u përgjigj shkurt, ndërsa për djalin e tij tha: “Nuk e di a ka marrë pjesë, pasi ka qenë atje, me siguri po.”

Sa i përket personave të tjerë të përfshirë në sulm, dëshmitari tha se nuk mund t’i identifikonte pasi ishin të maskuar:

“Nuk e di. Ata kanë pasur maska. Nuk mund t’ju them se kush ka qenë me të vërtetë. Vlastimir Andriq ndoshta. Nuk më kujtohet që i kam përmendur ata, sepse as nuk i kam parë.”

Për Milan Radoiçiqin, ai tha se nuk e njeh personalisht, por vetëm kishte dëgjuar për të.

“Vetëm kam dëgjuar për atë, kurrë s’e kam parë,” tha ai.

I pyetur nëse Radoiçiq kishte qëndruar ndonjëherë në hotel, ai deklaroi:

“Mendoj që një herë ka qenë, më tepër nuk di. Sepse ai edhe nëse vinte, vinte pak si më ndryshe.”

Kur prokurori e pyeti nëse mendonte se Radoiçiq ishte organizatori i sulmit, dëshmitari u përgjigj:

“Po, ai vetë e ka pranuar. Çfarëdo që mendoj unë, ai vetë e ka marrë përgjegjësinë. Por, ka mundësi.”

Në përfundim, dëshmitari theksoi:

“Çka me pyetni kur ju e dini kush janë. Milan Radoiçiq nuk do të guxonte vetë ta bënte këtë gjë. Çka kam deklaruar, ashtu ka ndodhur (në deklaratën e dhënë në polici). Të gjithë ata që kanë qenë në dhoma janë sjellë rreth dritareve dhe ju kam thënë largohuni, sepse dikush mund t’ju gjuaj. Ata më kanë dëgjuar dhe janë ulur. Kam dëgjuar gjuajtje me armë, asgjë tjetër. Kam thirrur në shtëpi vajzën time, sepse ajo ka katër fëmijë, për të parë në çfarë gjendje janë, dhe kam thirrur ruajtësen që ishte vetëm në shtëpi. Unë nuk jam frikuar shumë nga këto gjuajtje, sepse një herë vdes njeriu.”

- Advertisement -

Të Fundit