E ardhmja e Luis Díaz te Liverpool është ende në ajër, por drejtuesit e klubit nuk po rrinë duarkryq. Sipas L’Équipe, në rast se kolumbiani largohet gjatë kësaj vere, Rodrygo Goes i Real Madridit është lojtari që Liverpool e ka përzgjedhur si zëvendësuesin ideal.
Bayern Munich ka shfaqur interes serioz për Díaz dhe ka pasur oferta të refuzuara deri tani, por nëse gjermanët rrisin ofertën e tyre, transferimi mund të konkretizohet. Liverpool kërkon rreth 100 milionë euro për kartonin e anësorit.

Përballë këtij skenari, klubi anglez ka filluar kontaktet për Rodrygon, sulmuesin brazilian të cilit nuk i është garantuar qëndrimi te Real Madrid, sidomos pas rolit dytësor që kishte në Kupën e Botës për Klube nën drejtimin e Xabi Alonsos.
Por konkurrenca është e ashpër: Arsenal dhe vetë Bayern Munich, në rast se nuk arrijnë të marrin Díaz, gjithashtu janë në pritje të lëvizjes së Madridit për Rodrygon.
Nga ana ekonomike, transferimi i tij pritet të kushtojë rreth 100 milionë paund, shumë që Liverpool është i gatshëm ta paguajë nëse arrin të fitojë të njëjtën shumë nga shitja e Díaz.
Për momentin, gjithçka mbetet në fushën e merkatos, por në Anfield e kanë të qartë: nëse Luis Díaz largohet, ata do të synojnë një nga sulmuesit më të kërkuar në Evropë.