Tuesday, July 22, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditKurti thotë se Vuçiq kërcënoi me tone nxitëse të konfliktit: Ne nuk...

Kurti thotë se Vuçiq kërcënoi me tone nxitëse të konfliktit: Ne nuk jemi të frikësuar nga retorika e tij, por jemi të vendosur për ta mbrojtur ligjin

Të ngjajshme

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sot ka mbajtur një konferencë për media ku i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit në lidhje me deklaratën e tij të djeshme pas arrestimit të zyrtarit serb, Igor Popoviçit i cili nxiti përçarje dhe urrejtje ndaj UÇK-së, e për të cilën Vuçiq tha se do të përgjigjen “ashpër”.

Kurti në këtë konferencë ka thënë se secili që shkel ligjin dhe rendin do të përballet me drejtësi dhe se rasti i Igor Popoviçit i arrestuar në bazë të dyshimeve për kryerjen e veprave penale për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit etnik me 18 korrik nuk është përjashtim.

Kurti ka thënë se ai po trajtohet nga institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës me profesionalizëm dhe në përputhje me të gjitha standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq të bëra me 20 korrik, janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë së një shteti, lëshon kërcënime publike me tone nxitëse konflikti kjo nuk mund të konsiderohet si qëndrim individual por si politik shtetërore. Në këtë mënyrë, Beogradi zyrtar tregon qartë se nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetetin por nxitjen e tensioneve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes në rajon si dhe tregon që deklarimet e Igor Popoviçit po ashtu nxisin përçarje dhe mosdurim.  Duke sulmuar vlerën më të shenjtë të shqiptarëve që është UÇK, përmes deklarimeve të tilla qartësisht të sinkronizuara, ata kanë për qëllim nxitjen dhe provokimin e tensioneve. Deklaratat e tilla përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, ato nuk duhet neglizhuar sepse vijnë nga një udhëheqës që kontrollon aparatin ushtarak dhe strukturat e sigurisë së një shteti që historikisht ka shkelur të drejtat e popujve fqinjë, përfshirë kryerjen e krimeve të luftës, kryerjen e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se kjo nuk është hera e parë që Serbia e Vuçiqit mundohet të ndërhyj në punët e brendshme të Kosovës përmes strukturave ilegale dhe veprimeve hibride, e që ka përmendur edhe fotografitë ku shihen anëtarët e grupit të sulmit në Banjskë që ruanin Vuçiqin.

“Kosova po kërkon me ngulm dorëzimin e Radojiçiqit dhe 44 anëtarëve të grupit paramilitar dhe terrorist, por presidenti i Serbisë jo që nuk e ka në plan t’i dorëzoj ata por po i shfrytëzon tashmë edhe studentet dhe qytetarët në serbi sipas metodave të viteve 90-ta të shekullit të kaluar siç vepronte Millosheviçi e kur Vuçiqi ishte ministër i tij i Informimit dhe Propagandës.  Kosova përkundrazi nuk do të lejoj asnjë formë të përfshirjes së grupeve të tilla në grupe publike. Ligji do të zbatohet tek secili që e shkel atë. Ne nuk jemi të frikësuar nga retorika e Vuçiqit, por jemi të vendosur për ta mbrojtur ligjin, rendin dhe demokracinë tonë. Vuçiq me gjuhën e Millosheviçit mund të flas e veproj në Serbi, por ka kaluar koha kur atë mund ta bëj në Kosovë dhe ajo kohë nuk mund të kthehet kurrë më.  Për mendësinë e pushtetit autoritar e prorus në Serbi, sundimi i rendit dhe ligjit nga institucionet e pavarura dhe legjitime mund të ketë pasoja të paparashikueshme siç thonë ata. Pra për të sulmuar një shtet që ka rend dhe ligj si pun a e Kosovës, dërgohet një zyrtar i puna e Popoviçit për të nxitur përçarje e mosdurim e më pas kërcënohet për pasoja”, ka thënë Kurti. /Lajmi.net/

 

- Advertisement -

Të Fundit