Mijëra vetë, përfshirë edhe gruan e ndjerë të Alexei Navalnyt, kanë nënshkruar një peticion kundër një koncerti të planifikuar të dirigjentit rus Valery Gergiev, një aleat i ngushtë i presidentit rus.
Sipas mediave të huaja pas një vale protestash, është vendosur që koncerti të anulohet.
Valery Gergiev, i cili ka shprehur në mënyrë të përsëritur mbështetjen për presidentin rus, ishte planifikuar të drejtonte një orkestër lokale në një festival muzikor më 27 korrik në Reggia di Caserta – një pallat i epokës Bourbon pranë Napolit. Por administrata e këtij vendi të trashëgimisë botërore të UNESCO-s ka deklaruar të hënën në një komunikatë të shkurtër se performanca është anuluar.
Shfaqja e Gergiev-it, që do të ishte e para e tij në Europë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, kishte marrë mbështetje të fortë nga Vincenzo De Luca, presidenti i majtë i rajonit të Campanias. Por, anulimi erdhi pasi më shumë se 16,000 njerëz – përfshirë laureatë të Nobelit, politikanë dhe aktivistë italianë e ndërkombëtarë – kanë nënshkruar një letër drejtuar De Lucas dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar që pjesëmarrja e Gergiev të mos lejohej.
Dihet se Gergiev ka shprehur disa herë publikisht mbështetjen për Putinin: ai është shfaqur në një reklamë elektorale në vitin 2012, ka mbështetur aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe ka dirigjuar një koncert patriotik në qytetin antik të Palmirës në Siri në vitin 2016, pas rikthimit të qytetit nga forcat e Bashar al-Assad të ndihmuara nga Rusia.
Edhe pse konsiderohet gjerësisht si një nga figurat më të fuqishme kulturore të Rusisë, Gergiev është shkarkuar nga disa koncerte, festivale dhe teatro në Europë – përfshirë edhe teatrin “La Scala” në Milano – për shkak se ka refuzuar të dënojë agresionin rus ndaj Ukrainës.