Viktor Gyokeres ka ndërmarrë masa ligjore kundër Sporting CP ndërsa saga e tij e transferimit te Arsenal merr një tjetër kthesë të papritur.
Sulmuesi suedez dëshiron me çdo kusht të largohet këtë verë nga kampionët e Portugalisë, por largimi i tij është kthyer në një përplasje të hapur me drejtuesit e klubit. Për të detyruar transferimin, Gyokeres ka hyrë në grevë, duke refuzuar të paraqitet në stërvitjet parasezonale.
Arsenal dhe Sporting kanë rënë dakord për një shifër fillestare prej 55 milionë paundësh, por negociatat vazhdojnë për mënyrën se si do të strukturohen bonuset shtesë prej 8.7 milionë paundësh.
Marrëdhënia mes Gyokeres dhe presidentit të Sporting, Frederico Varandas, është përkeqësuar publikisht javët e fundit, me raportime të shumta nga mediat portugeze.

Çfarë po ndodh tani?
Gyokeres ka një klauzolë largimi prej 100 milionë eurosh në kontratë, por besonte se ekzistonte një marrëveshje “xhentelmene ” që do t’i lejonte të largohej për një shumë më të ulët, rreth 60 milionë euro plus 10 milionë euro bonuse.
Varandas e ka mohuar ekzistencën e kësaj marrëveshjeje por ka pranuar se lojtari mund të largohet për më pak sesa klauzola.
Si reagim, Gyokeres i ka bërë të qartë Sporting se nuk do të luajë më për klubin. Pas refuzimit për t’u paraqitur në stërvitje, Sporting ka nisur procedura ligjore kundër tij.
Tashmë, sipas gazetës portugeze Record, përfaqësuesit ligjorë të Gyokeres kanë dorëzuar një letër zyrtare ku fajësojnë presidentin Varandas që nuk ka respektuar marrëveshjen e dakordësuar për largimin e lojtarit.

A do të ndodhë ende transferimi te Arsenal?
Pavarësisht gjithë këtyre përplasjeve, duket e pashmangshme që Gyokeres të transferohet te Arsenal këtë verë.
Arsenal ka nisur tashmë turneun parasezonal në Singapor dhe Hong Kong, ku Mikel Arteta u pyet për Gyokeres, por u tregua i rezervuar duke thënë:
“Nuk mund të komentoj për një lojtar që nuk është ende pjesë e grupit tonë. Kur të kemi diçka konkrete, do të njoftojmë.”
Gjithsesi, Arteta ka kërkuar publikisht një sulmues të ri që prej janarit, dhe një lojtar që ka shënuar 39 gola në 33 ndeshje të kampionatit sezonin e kaluar shihet si përforcimi ideal.
Arsenal tashmë ka bërë disa afrime këtë verë:
Kepa Arrizabalaga
Martin Zubimendi
Christian Norgaard
Noni Madueke
Së shpejti Arsenalit pritet t’i bashkohet edhe mbrojtësi i Valencias, Cristhian Mosquera. /GazetaExpress/