Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se, ndaj të pandehurve me inicialet A.T., dhe V.H., ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Në komunikatë, theksohet se sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit AT., dhe V.H., ditë me parë e deri me datën 18.07.2025, të koordinuar paraprakisht në mes vete me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanosin personin tjetër – këtu të dëmtuarën B.H., se do të zbulojë diçka në lidhje me të, që do të dëmtojë rëndë nderin dhe autoritetin e saj, në atë mënyrë që ditën kritike pasi e pandehura V.H., një javë me parë e kishte telefonuar të dëmtuarën, duke iu drejtuar me fjalët ,, unë kam fakte qe ti ke kaluar me 2 – 3 persona dhe nëse nuk mi dërgon 5000 euro këto prova do të ia dërgoj burrit tënd’’, e me pas ditën kritike e kishte telefonuar përsëri duke i thënë ,, a vendose për pare’’ por që e dëmtuara me qellim qe të kuptoj se ç’far po ndodh i përgjigjet ,, po ku donë me ti pru paret a qysh ,, pastaj e pandehura e udhëzon se ,, vjen i bjen në qendrën tregtare V. ne katin e tret lej dikund në tesha me trego ku janë dhe shkoj i marr ’’ por që gjatë kësaj kohe e pandehura mban komunikim vazhdimisht me të pandehurit A.T., duke e informuar për veprimet e saj ku i thotë se ,, jam duke shkuar ne qendrën tregtare V. sepse ajo është duke mi pru paret’’ dhe ai përgjigjet ,, ne rregull edhe unë po nisna’’, ashtu që pasi e dëmtuara i vendos parat ashtu siç kërkon e pandehura në një palë pantallona fermerka të zi, e pandehura kishte shkuar aty bashkë me vajzën e saj (fëmijë 9 vjeçe), duke kontrolluar dhe pasi gjen aty zarfin e merr, e fut në xhep dhe fillon të largohet por që pasi zbret në katin e dytë verën një zyrtar policor dhe tenton të largohet duke e hedhur zarfin në tokë të cilën ende nuk e kishte hapur por që aty ndalohet nga zyrtaret policor ku pas pak çastesh arrestohet edhe i pandehuri A.T., i cili kishte ardhur aty.
Teksa mes tjerash thuhet se me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale, “Shantazhi”.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në komunikatë. /Lajmi.net/