Sunday, July 20, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditIzraeli zgjeron ofensivën në Gazë

Izraeli zgjeron ofensivën në Gazë

Të ngjajshme

Ushtria izraelite ka lëshuar një urdhër për evakuimin e palestinezëve nga pjesa qendrore e Rripit të Gazës më 20 korrik, duke paralajmëruar se do të ndërmarrë aksion të menjëhershëm ndaj luftëtarëve të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në këtë zonë “ku më parë nuk kanë operuar”.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, tha në X se banorët dhe palestinezët e zhvendosur, që po strehohen në zonën Deir el-Balah, duhet të evakuohen menjëherë.

Izraeli ka “zgjeruar aktivitetet” përreth Deir el-Balah, përfshirë “në një zonë që nuk ka operuar më parë”, tha Adraee, duke u kërkuar palestinezëve “të largohen drejt jugut në zonën al-Mavasi”.

Shumica e popullsisë së Gazë mbi 2 milionë banorësh janë zhvendosur të paktën një herë gjatë luftës – që tani është në muajin e 22-të – dhe Izraeli vazhdimisht ka lëshuar urdhra për evakuimin e pjesëve të mëdha të territorit palestinez.

Në janar, agjencia humanitare e Kombeve të Bashkuara, OCHA, tha se më shumë se 80 për qind e Rripit të Gazës ishte nën urdhra për evakuim të lëshuar nga Izraeli.

Familjarët e pengjeve që mbahen në Gazë që kur Hamasi më 7 tetor 2023 sulmoi Izraelin – që nxiti luftën – kanë shprehur frikën se zgjerimi i ofensivës izraelite mund të vë në rrezik më të dashurit e tyre.

Ata kanë kërkuar që Izraeli të tregojë planet luftuese dhe si synon t’i mbrojë pengjet që janë në Gazë.

Të dielën, ndërkaq, agjencia për mbrojtje civile në Gazë i tha AFP-së se sulmet izraelite gjatë natës kanë lënë të vrarë të paktën shtatë persona në Qytetin e Gazës dhe në pjesët jugore të territorit.

Delegacionet nga Izraeli dhe Hamasi në dy javët e fundit kanë mbajtur bisedime indirekte për një armëpushim 60-ditor në Gazë dhe lirimin e dhjetë pengjeve që ende janë gjallë.

Nga 251 pengje që u morën më 7 tetor 2023, 49 ende mbahen në Gazë, përfshirë 27 që ushtria izraelite thotë se kanë vdekur.

Familjarët e pengjeve u mblodhën në Tel Aviv të shtunën, duke i bërë thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, të arrijnë marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës.

Ndërkaq, ushtria izraelite tha përmes një deklarate se ka intensifikuar operacionet në zonën Xhabalia në veri të Gazës, duke vrarë “dhjetëra terroristë” dhe duke shkatërruar “qindra infrastruktura terroriste”.

Si pasojë e sulmit të Hamasit në Izrael u vranë afër 1.200 persona, shumica civilë. Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 58.000 palestinezë, shumica civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze. /REL/

- Advertisement -

Të Fundit