Monday, July 21, 2025
BallinaLajmeLajmet e Fundit“U takuan në një restorant në Pejton, s’arritën marrëveshje” – Zbulohen detaje...

“U takuan në një restorant në Pejton, s’arritën marrëveshje” – Zbulohen detaje të reja nga takimi Kurti-Limaj

Të ngjajshme

Në një nga restorantet e lagjes “Pejton” në Prishtinë, gjatë orëve të mesditës u zhvillua një takim ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Takimi erdhi në një kohë vendimtare për vendin, vetëm pak ditë para se të skadojë afati për konstituimin e Kuvendit, transmeton lajmi.net

Burime të RTK-së bëjnë të ditur se megjithëse palët diskutuan për zgjidhjen e ngërçit institucional, nuk është arritur ende asnjë marrëveshje konkrete, dhe se bisedimet do të vazhdojnë në ditët në vijim.

Ky është takimi i shumëpërfolur që ishte paralajmëruar gjatë gjithë javës, por as Vetëvendosje e as Nisma nuk kanë dhënë deklarime zyrtare për përmbajtjen e diskutimeve.

Situata politike në Kosovë vazhdon të mbetet e tensionuar. Të hënën pritet të mbahet përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, proces që po zvarritet prej javësh për shkak të mungesës së marrëveshjes për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, presidentja e vendit Vjosa Osmani, u takua dje me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj. Ndërkohë, në një konferencë për media të enjten, ajo paralajmëroi se nëse nuk arrihet ndonjë zgjidhje në ditët e ardhshme, do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur afatin për konstituimin e Kuvendit deri më 26 korrik, dhe nëse ky afat tejkalohet pa zgjidhje, mund të pasojnë pasoja serioze kushtetuese dhe institucionale për vendin./lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit