Dibran Deqaj nga Prizreni është personi i radhës që ra pre e një mashtrimi nga tashmë personi i njohur për publikun si Edon Bytyqi.
Edoni është shfaqur fillimisht si biznesmen, duke shfrytëzuar emrin e një biznesmeni të njohur në Prizren dhe duke i shkruar Dibran Deqajt, kinse për t’i dalë në ndihmë, pasi ky i fundit ishte në hall dhe po kërkonte ndihmë për shërimin e vajzës, e cila vuan nga një sëmundje e rëndë dhe e kushtueshme për t’u shëruar jashtë vendit.
Emri i Edon Bytyqit është raportuar edhe më herët në media për mashtrime të ndryshme që ua kishte bërë qytetarëve, në forma të ndryshme. Bytyqi njihej si person që e shfrytëzonte mirë situatën e rëndë të dikujt për të arritur qëllimin e tij – mashtrimin. Këtë e kishte bërë edhe në raste të mëparshme kur familjarët kishin kërkuar ndihmë për shërimin e më të dashurve të tyre, me qëllim që t’i dërgonin jashtë vendit për trajtim.
Tash rrëfimin për këtë rast e sjell vetë Dibran Deqaj për lajmi.net, ku tregon se si mashtruesi Edon Bytyqi, pasi ia mori paratë, filloi ta ofendonte rëndë dhe madje edhe ta kërcënonte familjen Deqaj.
Edon Bytyqi ishte paraqitur si ndihmës për këtë familje, duke u thënë se “tash ua dërgoj 15 mijë euro për shërimin e vajzës”, vetëm se i duheshin afër 300 euro parapagim për postë, transfer e gjëra të tjera – siç ai dinte t’i trillonte.
Duke pasur parasysh hallin në të cilin ndodhej familja dhe nevojën për ndihmë, ata ia nisën paratë si “parapagim”, përmes bankës. Pasi Edoni i mori paratë, u tha se për dy orë do t’u dilnin paratë në xhirollogari. Familja Deqaj i priti ato dy orë, por më pas, kur e pyetën se ku janë paratë, Edoni filloi të tallej me ta dhe më vonë kaloi në fyerje dhe kërcënime të rënda.
Përmes disa fotove të tjera të siguruara, Edoni shihet duke punuar në një furrë në Prizren, ku dyshohet se e ka shfrytëzuar rastin për të vjedhur të holla dhe stoli ari, e më pas është larguar menjëherë nga aty. Në storien e lajmi.net, mund të shihni disa nga profilet përmes të cilave ai dyshohet se vepron si mashtrues. I njëjti dyshohet se aktualisht jeton në Serbi dhe vepron nga atje.
VIDEO:
/lajmi.net/