Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, në një përgjigje për lajmi.net, ku ai e cilësoi takimin si të rregullt dhe të natyrës së zakonshme.
“Po, një drekë pune, takim i zakonshëm,” u shpreh Mustafa.
Takimi mes Abdixhikut dhe diplomates amerikane vjen vetëm pak ditë pas vizitës në Kosovë të zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, nga Byroja për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.
Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Hanrahan takoi udhëheqësit e partive kryesore politike, me përjashtim të Lumir Abdixhikut, i cili ndodhej jashtë vendit. Në emër të LDK-së, me Hanrahanin u takua deputetja Hykmete Bajrami.
Ndërkohë, në skenën politike të brendshme, Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të 47-të të konstituohet, ndërsa seanca e radhës është paralajmëruar të mbahet pas dy ditësh./lajmi.net/