“Doni një parti të re politike? Do ta keni!”, kështu deklaroji Elon Musk në fillim të korrikut, duke hedhur në skenën politike amerikane një emër të ri: Partia Amerikane.
Analiza e The Guardian:
Njeriu më i pasur në botë nuk e ka fshehur asnjëherë prirjen për deklarata të bujshme. Në këtë rast, ai i përshkroi Shtetet e Bashkuara si një sistem të falimentuar nga ryshfeti dhe shpërdorimi, ku sipas tij, demokracia ka humbur rrugën. “Jetojmë në një sistem njëpartiak, jo në një demokraci. Sot, Partia Amerikane është formuar për t’ju kthyer lirinë tuaj,” tha Musk.
Ambicia është e qartë: një alternativë reale ndaj demokratëve dhe republikanëve, një formacion i ri që synon të ndërhyjë në vendimmarrjen legjislative duke garuar për disa vende kyçe në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Musk beson se mjafton të kapësh disa ulëse në Kongres për të pasur ndikim vendimtar në ligjet më të debatueshme.
Por ekspertët janë skeptikë. Bernard Tamas, profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Valdosta-s dhe autor i librit “Vdekja dhe Rilindja e Partive të Treta Amerikane”, e sheh nismën si një përpjekje të dëshpëruar dhe të destinuar për dështim. “Në këtë moment, nuk ka asnjë provë që një parti e tretë mund të fitojë realisht vende në Kongres, e aq më pak të ketë ndikim në politikë,” shprehet ai.
Tamas thekson se nuk janë vetëm paratë që i bëjnë demokratët dhe republikanët kaq të fuqishëm — janë dekadat e strukturës, rrjeti i konsulentëve, makineritë e fushatave dhe lidhjet mediatike që nuk mund të imitohen përmes një startup-i politik, sado karizmatik të jetë themeluesi i tij.
Vetë mënyra se si lindi ideja e Partisë Amerikane shton dyshimet. Pas përplasjes publike me Donald Trump, Musk duket se reagoi me vrull më shumë se me vizion. Si shumë ide të lindura nga zemërimi, edhe kjo duket se po ecën me improvizim. Faqja e internetit “americaparty.com” rezulton e regjistruar nga dikush tjetër, i cili tani e ofron për shitje me çmimin marramendës prej 6.9 milionë dollarësh. Edhe llogaria @AmericaParty në platformën X — e zotëruar nga vetë Musk — ishte e zënë, duke e detyruar partinë të përdorë një emër alternativ.
Përveç një retorike kundër rritjes së borxhit publik dhe korrupsionit, nuk ka ende asnjë platformë të qartë politike, asnjë manifest dhe asnjë projekt konkret legjislativ. Çfarë përfaqëson kjo parti? Kush janë kandidatët? Çfarë qëndrimesh kanë? Deri tani, vetëm heshtje.
Historikisht, partitë e treta në SHBA nuk kanë patur sukses në marrjen e pushtetit, por kanë arritur të ndikojnë debatin publik duke futur në axhendë çështje të rëndësishme dhe duke ushtruar presion ndaj dy partive të mëdha. Tamas përmend Partinë Progresive në Wisconsin dhe atë të Fermerëve e Punëtorëve në Minesota si shembuj që kanë ndryshuar realisht politikat shtetërore, pa patur nevojë të marrin shumicën.
Por Musk nuk jep shenja se kërkon këtë lloj ndikimi. Ambicia e tij duket më e madhe – por njëherazi edhe më bosh.
Nëse historia shërben si mësim, është e qartë se për të pasur sukses, një parti e tretë duhet të ketë qëndrime të qarta, një strukturë të ndërtuar me durim dhe një lidhje reale me bazën elektorale. Partia Forward e Andrew Yang, me moton “Jo majtas. Jo djathtas. Përpara”, është një shembull i qartë i entuziazmit që zbehet shpejt. Sot, mezi ekziston në diskursin politik, pavarësisht përpjekjeve në rrjete sociale ku angazhimi është minimal.
Sondazhet tregojnë se amerikanët duan një parti të tretë — por mes dëshirës dhe mbështetjes reale ka një hendek të madh. Në një anketë të zhvilluar në rrjetet sociale të Musk, vetëm 65% e ndjekësve u shprehën pro krijimit të partisë, një rezultat i dobët duke marrë parasysh audiencën e tij besnike. Një tjetër sondazh më i gjerë tregoi se vetëm 14% e votuesve do ta mbështesnin realisht këtë parti.
Problemi më themelor për Partinë Amerikane është vetë figura e Elon Musk. Ai është një personalitet gjithnjë e më polarizues. Sipas një sondazhi të fundit, 60% e amerikanëve kanë një mendim negativ për të, ndërsa vetëm 32% shprehen pozitivisht. Ai është gjithashtu i rrethuar nga këshilltarë jo pak të diskutueshëm, si Curtis Yarvin, një bloger i krahut të djathtë që ka propozuar që SHBA të drejtohet nga një CEO autoritar në vend të një sistemi demokratik.
Elon Musk tha: “Amerika do të ketë një parti të tretë.” Por pyetja që ngrihet natyrshëm është: a e do Amerika një parti të tretë që ngjan kështu? Me këtë lloj drejtimi, me këto ambicie të turbullta dhe me një figurë kaq përçarëse në krye?
Deri tani, Partia Amerikane ngjan më shumë si një projekt personal, sesa një lëvizje politike serioze. Dhe në politikë, sidomos në një sistem si ai amerikan, rruga nga ideja tek realiteti është shumë më e gjatë dhe më e vështirë nga sa sugjeron një postim në rrjetet sociale.