Në rezidencën e ambasadorit amerikan në Kosovë, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi sonte një darkë pune me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, darkë kjo e shtruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Bashkë me Kurtin ishin ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Kurti i uroi mirëseardhje Hanrahan-it në Kosovë, teksa theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. Gjithashtu, shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe kritike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë darkës, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në fushën e investimeve, të diplomacisë e të mbrojtjes, si dhe progresin e Republikës së Kosovës në integrimin e saj euro-atlantik.
Kurti shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Qeverisë për thellimin dhe forcimin e mëtejmë të raporteve dypalëshe.
Zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimi rajonal dhe raportet me Serbinë, ishin po ashtu pjesë e diskutimit në takim.