BallinaLajmeLajmet e FunditTarifat e SHBA-së ndaj BE-së, Macron kundër: Të arrijmë një marrëveshje të...

Tarifat e SHBA-së ndaj BE-së, Macron kundër: Të arrijmë një marrëveshje të pranueshme reciprokisht deri më 1 gusht

Presidenti francez Emanuel Macron iu shtua zërave kundër nga Bashkimi Europian për tarifat prej 30% mbi eksportet e BE-së në Shtetet e Bashkuara nga 1 gushti, të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump.

Franca ndan të njëjtin mosmiratim shumë të fortë ndaj njoftimit të tarifave, shkroi Macron në rrjetin social X, teksa shton se ky njoftim vjen pas javësh angazhimi intensiv nga Komisioni Europian në negociata me Shtetet e Bashkuara, në bazë të një oferte të fortë të bërë me mirëbesim.

 

 

“Franca mbështet plotësisht Komisionin Evropian në negociatat, të cilat tani do të intensifikohen, për të arritur një marrëveshje të pranueshme reciprokisht deri më 1 gusht, duke reflektuar respektin që partnerët tregtarë si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i detyrohen njëri-tjetrit, me interesat e tyre të përbashkëta dhe zinxhirët e integruar të vlerave“, shkruan Macron.

Më herët Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, reagoi ashpër ndaj vendimit të Presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave në masën 30%. Ajo shtoi se BE është e gatshme për një zgjidhje të negociuar, por paralajmëroi se Bashkimi Evropian është i përgatitur për kundërmasa proporcionale, nëse SHBA nuk tërhiqet nga vendimi.

 

 

Tarifat e reja të njoftuara nga Trump, nuk prekin vetëm BE-në, por edhe Meksikën. Më herët gjatë javës, presidenti amerikan shpalli tarifat e reja ndaj disa vendeve të tjera, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Kanadanë dhe Brazilin, si dhe një tarifë 50% mbi bakrin.

- Advertisement -