BallinaLajmeLajmet e FunditMinistri i Kurtit për dy urat e reja mbi Ibër: Do të...

Ministri i Kurtit për dy urat e reja mbi Ibër: Do të jenë pjesë përsëri e negociatave, peticioni i Listës Serbe padyshim se do të ketë sukses

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka komentuar ndërtimin e dy urave të reja në Mitrovicë, duke e konsideruar këtë çështje si potencialisht të diskutueshme në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel.

Ai theksoi se peticioni i nisur nga Lista Serbe kundër ndërtimit të urave është i dirigjuar nga Beogradi zyrtar, transmeton lajmi.net

Punimet për ndërtimin e dy urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për vetura – janë në zhvillim, dhe sipas autoriteteve, pritet të përfundojnë në vjeshtë. Rashiq u shpreh në Tëvë1 skeptik për ndikimin e tyre real në bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve:

“Unë e konsideroj që do të vijmë në një situatë që edhe ato dy ura të reja, potencialisht, të cilat, sa e kuptova, njëra urë është për lëvizje të qytetarëve dhe tjetra të veturave. Nuk e shoh që do të jetë (game changer), me thënë hajde të ndryshojmë konceptin e pranimit ose mospërpranimit të qytetarëve. Peticioni i Listës Serbe padyshim se do të ketë sukses, ku prapë do të kthehemi që ato dy ura potencialisht do të jenë pjesë përsëri e negociatave dhe pajtimit, të cilat do të paraqiten gjatë bisedimeve qoftë teknike, qoftë politike në Bruksel, që prapë, po konsideroj, në këtë moment nuk e zgjidh problemin.”

Ai shtoi se numri i urave për një qytet të vogël si Mitrovica është i tepruar dhe ngre shqetësime për mungesën e analizave të fizibilitetit:

“Unë e respektoj, megjithatë mendoj se për kokë banori, një qyteti kaq të vogël do të kemi me siguri rekord të urave në një qytet kaq të vogël. Dhe nëse shkohet jo vetëm në aspektin politik, por edhe nga aspekti ekonomik, aspekti i justifikimit të projekteve të cilat, së pari, nëse keni pasur ndonjë rast të shikoni, projektet që janë strategjike duhet të bëhet studimi i fizibilitetit, i cili tregon a ia vlen një gjë e tillë apo jo. Edhe pse po kuptohet që është politike.”

Për peticionin e organizuar nga Lista Serbe, Rashiq tha:

“Ajo strukturë e cila është ende aty, në shumicën e rasteve është e shantazhuar ose e kushtëzuar nga ana e Beogradit zyrtar. Një urdhër ose disa urdhra, një organizim, të gjithë njerëzit dalin. Prandaj nuk e shoh një nevojë për organizim të veçantë. Por megjithatë, normalisht që Lista Serbe nuk bën asnjë gjë pa qenë e urdhëruar nga ana e Beogradit, nga ana e SNS-së, që të bëhet një gjë e tillë dhe kur të bëhet.”

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka kërkuar që për projektin e ndërtimit të urave të ketë koordinim ndërmjet komuniteteve për të shmangur përplasjet politike apo etnike./lajmi.net/

- Advertisement -