BallinaLajmeLajmet e FunditTrump njoftoi se e ndali sulmin e Serbisë ndaj Kosovës, Kurti thotë...

Trump njoftoi se e ndali sulmin e Serbisë ndaj Kosovës, Kurti thotë se nuk ishte informuar – Fetoshi: Qeveria vazhdon të mos ketë komunikim për çështje vitale me ShBA-të

Drejtori i Institutit “Octopus” dhe profesori Arben Fetoshi ka komentuar deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila konfirmoi se presidenti amerikan, Donald Trump, kishte parandaluar një sulm ushtarak të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës.

Fetoshi theksoi se, pavarësisht këtij konfirmimi nga Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni për një zhvillim të tillë, transmeton lajmi.net.

“Ndërkohë që nga kryeministri kemi parë një deklaratë që ai nuk ishte në dijeni të diçkaje të tillë, që nënkupton që me sa duket qeveria vazhdon të mos ketë komunikim për çështje kaq vitale me aleatin tonë kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” u shpreh Fetoshi në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Ai kujtoi se Trump e kishte përsëritur deklaratën edhe gjatë një takimi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në kuadër të përpjekjeve për armëpushim në Gaza, ku përmendi konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar rolin e tij në parandalimin e një sulmi të mundshëm nga Serbia.

Fetoshi shtoi se Serbia historikisht ka pasur plane për sulme ndaj Kosovës dhe se agresioni i saj vazhdon, sidomos përmes propagandës.

“Jemi të vetëdijshëm për një agresion të vazhdueshëm propagandistik nga Serbia kundër Kosovës që ka për qëllim ta minojë rendin kushtetues dhe ta minojë Kosovën në skenën ndërkombëtare,” u shpreh ai.

Sipas Fetoshit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq po përdor çështjen e Kosovës për të shmangur presionin e brendshëm që po vjen nga protestat në rritje ndaj regjimit të tij autoritar./lajmi.net/

- Advertisement -