BallinaLajmeLajmet e FunditTarifat ndaj Brazilit, konsumatorët amerikanë do ta paguajnë më shtrenjtë kafenë dhe...

Tarifat ndaj Brazilit, konsumatorët amerikanë do ta paguajnë më shtrenjtë kafenë dhe lëngun e portokallit

Konsumatorët amerikanë do të përballen me rritje të ndjeshme të çmimeve për artikuj të caktuar, të tillë si kafeja dhe lëngu i portokallit, nëse administrata Trump vazhdon të vendosë një tarifë prej 50% për importet nga Brazili, thonë tregtarët dhe analistët ekonomikë.

Ata vlerësojnë se niveli i tarifave të vendosura nga Presidenti Trump do të çojë në ndërprerjen e rrjedhës së kafesë braziliane në Shtetet e Bashkuara, pasi as kompanitë amerikane dhe as eksportuesit brazilianë nuk do të jenë në gjendje të kapërcejnë hendekun që do të rezultojë.

Presidenti amerikan njoftoi të mërkurën se do të rriste tarifat për produktet braziliane nga 10% në 50% duke filluar nga 1 gushti, pavarësisht faktit se SHBA-të kanë një suficit tregtar prej 7.4 miliardë dollarësh me Brazilin.

Rreth një e treta e kafesë së konsumuar në Shtetet e Bashkuara, tregu më i madh i kafesë në botë, vjen nga Brazili – i cili vitin e kaluar eksportoi 8.14 milionë qese 60 kg në SHBA, një rritje prej 30% nga viti 2023, sipas shoqatës së eksportuesve brazilianë Cecafé.

“Një tarifë e asaj madhësie do ta ndërpriste atë fluks. Eksportuesit brazilianë nuk do ta përthithin atë. Dhe as bizneset amerikane nuk mund ta bëjnë këtë”, thotë konsulenti i investimeve Michael Nugent. “Si përfundim: Brazili do ta shesë kafenë e tij diku tjetër dhe SHBA-të do të blejnë kafe nga vende të tjera – Kolumbia, Hondurasi, Peruja, Vietnami – por jo në sasinë ose me çmimin e kafesë braziliane”, shtoi ai.

Ndërkohë, më shumë se 50% e lëngut të portokallit të shitur në SHBA vjen gjithashtu nga Brazili. Vendi i Amerikës së Jugut eksporton gjithashtu sheqer, lëndë drusore, naftë dhe produkte nafte.

Sekretari i Tregtisë i SHBA-së, Howard Latnick, tha muajin e kaluar gjatë një seance dëgjimore në Kongres se disa mallra që nuk janë të disponueshme në SHBA, siç janë frutat tropikale dhe erëzat, mund të përjashtohen potencialisht nga tarifat, pas negociatave me vendet që i eksportojnë ato.

SHBA-të prodhojnë vetëm një përqindje të vogël të kafesë së konsumuar në vend, në fermat në Hawaii dhe Kaliforni. Në vitet e fundit, varësia nga lëngu i portokallit i importuar është rritur për shkak të klorozës së përhapur të agrumeve, dhe periudhave të zgjatura të të ftohtit.

Një raport i kohëve të fundit nga Departamenti i Bujqësisë i SHBA-së parashikoi se korrja e portokallit në SHBA do të bjerë këtë vit në nivelin më të ulët në 88 vjet, dhe për këtë arsye prodhimi i lëngut të portokallit do të arrijë në një nivel historik të ulët.

- Advertisement -