Gjykata e Apelit pas uljes së temperaturave, ka vendosur që ta kthejë orarin e rregullt të punës.
Vendimi është marrë nga kryetari i Apelit, Valon Totaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, duke u bazuar në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nr.261/2025, të datës 27 qershor 2025, si dhe ndryshimit të kushteve klimatike dhe paralajmërimeve nga institucionet relevante se temperaturat e motit do të bien ndjeshëm nga dita sotme si dhe ditëve në vijim, Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj ka vendosur që nga sot orari i punës rikthehet në gjendjen e rregullt, ashtu që puna do të zhvillohet sipas orarit zyrtar”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se këto masa do të rishikohen në varësi të kushteve klimatike dhe vlerësimit të menaxhmentit të gjykatës.
Më 2 korrik, Apeli kishte vendosur ta reduktojë orarin e punës për shkak të temperaturave të larta. Njëjtë kishte vendosur edhe Gjykata Themelore në Prishtinë, Gjykata Supreme dhe Gjykata Komerciale./Indeksonline/