BallinaLajmeLajmet e FunditKomisioni Europian paralajmëron Libinë dhe vendet afrikane: Ndaloni ndihmën financiare nëse nuk...

Komisioni Europian paralajmëron Libinë dhe vendet afrikane: Ndaloni ndihmën financiare nëse nuk i mbani emigrantët

Komisioni Europian po forcon qëndrimin ndaj vendeve afrikane që nuk marrin masa për të kufizuar rrjedhjet migratore drejt Europës, duke lidhur ndihmën ekonomike të BE-së me rezultate konkrete në menaxhimin e emigracionit.

Sipas një drafti të brendshëm të cilit i referohet Politico, strategjia e re do të përfshihet në buxhetin shtatëvjeçar të Bashkimit Europian që do të prezantohet javën e ardhshme.

Ky propozim reflekton një kthesë drejt një linje më të ashpër të Komisionit pas rritjes së së djathtës në zgjedhjet europiane të vitit të kaluar.

Qëllimi, sipas Politico, është që politika e zhvillimit e BE-së të harmonizohet me praktikat e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, ku ndihma e jashtme përdoret tashmë si instrument presioni për të arritur objektiva të brendshëm politikë.

Dokumenti paralajmëron se vendet që nuk ndihmojnë në mënyrë domethënëse në reduktimin e migracionit drejt Europës, rrezikojnë të përballen me shkurtim të fondeve.

“Do të përdorim të gjitha mjetet e përshtatshme dhe presionin e nevojshëm përmes një qasjeje fleksibël stimujsh, duke përfshirë ndryshime të mundshme në shpërndarjen e fondeve në varësi të bashkëpunimit mbi migracionin”, thuhet në draft.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duket se po i përgjigjet presionit të Partisë Popullore Europiane dhe vendeve si Italia dhe Danimarka, të cilat kërkojnë zgjerimin e marrëveshjes së diskutueshme të vitit 2023 me Tunizinë edhe në shtete të tjera afrikane.

“Nevojitet më shumë koherencë midis politikave të migracionit, azilit dhe politikës së jashtme, në mënyrë që ndihma e jashtme e Unionit të mbështesë realisht vendet partnere në menaxhimin e migracionit”, theksohet më tej në dokument.

Megjithatë, për të kaluar plani, Von der Leyen duhet të bindë edhe eurodeputetët më skeptikë nga radhët e Socialistëve dhe të Gjelbërve, mbështetja e të cilëve është jetike për miratimin e buxhetit të ri në Parlamentin Europian.

Nëse miratohet, strategjia do të shënojë një largim të rëndësishëm nga modeli aktual i ndihmës së BE-së, i cili nuk përmban kushte të rrepta.

Fond i veçantë për Ukrainën

Sipas planit të ri, Komisioni synon të bashkojë disa programe ndihme në një fond të vetëm të quajtur “Fondi i Europës Globale”, i cili do të ndahet në mënyrë gjeografike në rajone: Europë, Lindja e Mesme, Afrika e Veriut dhe Gjiri, Afrika Sub-Sahariane, Azia dhe Paqësori, Amerika dhe Karaibet.

Edhe pse shifrat përfundimtare nuk janë bërë ende publike, ato pritet të komunikohen brenda stafit të BE-së pak orë para prezantimit zyrtar të planit. Ajo që konfirmohet është se fondet për rindërtimin e Ukrainës nuk do të prekin buxhetet për rajonet e tjera.

Për këtë qëllim, do të krijohet një fond i veçantë për periudhën 2028–2034, i cili do të mbulojë rindërtimin e shpejtë, rimëkëmbjen dhe modernizimin e vendit të shkatërruar nga lufta. Presidentja e Komisionit Europian pritet të prezantojë zyrtarisht projektbuxhetin e ri të mërkurën e ardhshme.

- Advertisement -