BallinaLajmeLajmet e Fundit“Ka dalë nga binarët”/ Trump sulmon sërish Elon Musk për krijimin e...

“Ka dalë nga binarët”/ Trump sulmon sërish Elon Musk për krijimin e një partie të re politike

Përplasja mes Donald Trump dhe Elon Musk po bëhet gjithnjë e më personale. Presidenti amerikan reagoi ashpër ndaj lajmit se Musk po planifikon të krijojë një parti të re politike në SHBA, duke e quajtur këtë hap “të çmendur” dhe duke shtuar se Musk “ka dalë krejtësisht nga binarët”.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkruan se “e ka marrë malli” për versionin e mëparshëm të Musk dhe se përpjekja e tij për të themeluar një “parti të tretë” nuk ka gjasa të ketë sukses. Sipas tij, partitë e treta në SHBA vetëm “sjellin kaos dhe përçarje” dhe nuk arrijnë asnjëherë të mbijetojnë në sistemin politik amerikan.

“Po më vjen keq ta them, por Elon ka dalë nga binarët. Ka pesë javë që nuk është më ai që ishte. Tani do të krijojë edhe parti të re, që nuk funksionojnë kurrë në Amerikë. Sistemi nuk i pranon. Ato vetëm shkaktojnë kaos dhe destabilizim,” shkroi Trump, duke theksuar se ka tashmë mjaftueshëm kaos me “demokratët radikalë të majtë”.

Trump nuk harroi të përmendë edhe një fitore të fundit të republikanëve, miratimin e një ligji të ri që, sipas tij, anulon detyrimin për të blerë makina elektrike. “Qytetarët tanë janë të lirë të zgjedhin: benzinë, hibride apo çfarëdo teknologjie të re,” shkroi ai, në një thumb të qartë ndaj Musk dhe kompanisë së tij Tesla.

Gjithashtu, Trump zbuloi se Musk kishte kërkuar emërimin e një mikut të tij në krye të NASA-s, por më pas u zhgënjye kur zbuloi se ai ishte “demokrat i thekur” dhe nuk kishte mbështetur kurrë republikanët.

Përballë gjithë këtyre akuzave, Elon Musk zgjodhi ironinë. Në një reagim të shkurtër në platformën X (ish-Twitter), ai tha: “Truth Social? Nuk kam dëgjuar kurrë për të.”

- Advertisement -