Aktorja britanike, Barbara Ferris, ka ndërruar jetë më 23 maj 2025, në moshën 85-vjeçare, pas një karriere të gjatë në skenë dhe ekran.
Ajo u bë e njohur për publikun me rolin e kamarieres Nona Willis në serialin “Coronation Street”, ndonëse u largua pas vetëm 10 episodesh për shkak të vështirësive me të kuptuarit e theksit lankasterian.
E lindur në Londër, Barbara nisi karrierën si adoleshente, duke u angazhuar fillimisht në reklama, pantomima dhe më pas në modelizëm e vallëzim, përfshirë një rol në filmin “The Pajama Game” të Bob Fosse, shkruan DailyMail.

Ajo u bë e famshme me rolin e Dinah në filmin “Catch Us If You Can” (1965) dhe luajti gjithashtu në filmat “Children Of The Damned” dhe “The Krays” (1990).
Ferris ishte aktive edhe në teatër, duke prodhuar dhe financuar shfaqje në King’s Head Theatre në Islington.

Ajo u dallua edhe në dramën kontroverse “Saved” të Edward Bond, e cila shkaktoi debat kombëtar për përmbajtjen e saj të fortë dhe censurën.
Barbara Ferris la pas bashkëshortin dhe tre fëmijët e tyre – Nicholas, Christopher dhe Catherine. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik. /Telegrafi/
