Ministri i jashtëm turk Hakan Fidan, ka hapur zyrtarisht takimin mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës, duke thënë se shpreson në bisedime “të frytshme” e duke shtuar se pret që dita të sjellë përparim dhe përfitime për të dyja palët.
Kjo është hera e dytë që Rusia dhe Ukraina takohen drejtpërdrejt në tre vitet e fundit, ndërsa takimi i parë, i mbajtur muajin e kaluar, zgjati më pak se dy orë dhe nuk solli përparim domethënës drejt një armëpushimi.
Sipas mediave të huaja, pritshmëritë për ndonjë përparim të madh janë të ulëta, pasi të dyja palët mbeten shumë larg në qëndrimet e tyre për mënyrën se si mund të përfundojë lufta.
Kujtojmë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet në një samit të NATO-s në Lituani, paralajmëroi se nëse këto bisedime “nuk sjellin asgjë”, atëherë SHBA dhe BE duhet të vendosin “sanksione të reja dhe të fuqishme” ndaj Rusisë.
Takimi zhvillohet në një kohë kur tensionet janë në rritje, pas një sërë sulmesh nga Kievi në bazat ajrore ruse në thellësi të territorit të Rusisë gjatë fundjavës, ndërsa sulmet e ndërsjella mes palëve vazhduan edhe gjatë natës.