Mërgim Pefqeli do të jetë një nga emrat më të përfolur në këtë afat kalimtar, pasi kontrata e tij me Dukagjinin ka përfunduar zyrtarisht.
Pefqeli, i cili mund të luajë në të gjitha pozitat e mesfushës dhe në repartin e sulmit, ishte ndër figurat kyçe të Dukagjinit gjatë sezonit të fundit.
Ai shënoi 5 gola dhe regjistroi 2 asistime, duke kontribuar direkt në 20 për qind të golave të ekipit, çka e bën një nga lojtarët më të vlerësuar të skuadrës nga Klina.

Megjithëse Dukagjini ka shprehur dëshirën për ta mbajtur në skuadër dhe i ka ofruar rinovimin e kontratës, interesimi për Pefqelin nuk mungon.
Por, disa klube të tjera të elitës kanë kontaktuar tashmë mesfushorin, duke i propozuar kushte të reja për një transferim të mundshëm.
Pefqeli pritet të marrë një vendim për të ardhmen e tij në javët në vijim, teksa po peshon ofertat e reja dhe mundësinë për të vijuar të jetë pjesë e Dukagjinit. Përveç anës financiare, faktori sportiv dhe ambiciet e lojtarit pritet të kenë një rol vendimtar.

Mbetet të shihet nëse Pefqeli do të zgjedhë të qëndrojë në ambientin që e njeh mirë te Dukagjini, apo do të provojë një sfidë të re në një klub tjetër të Superligës së Kosovës. /Telegrafi/