Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas shprehu alarm të shtunën për lidhjet Rusi-Kinë, mes trupave të Koresë së Veriut në Ukrainë.
Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth paralajmëroi për kërcënimin në rritje të Pekinit, duke kërkuar shpenzime më të larta për mbrojtjen, transmeton Telegrafi.
Bota duhet të jetë “jashtëzakonisht e shqetësuar” për marrëdhënien midis Rusisë dhe Kinës, ndërsa trupat e Koresë së Veriut luftojnë përkrah ushtarëve rusë në Ukrainë, tha të shtunën Kallas.
“Kur Kina dhe Rusia flasin për udhëheqje së bashku, ndryshimi nuk shihet në 100 vjet dhe për rishikime të rendit global të sigurisë. Ne të gjithë duhet të jemi jashtëzakonisht të shqetësuar”, shtoi Kallas gjatë Dialogut Shangri-La, një konferencë globale për sigurinë në Singapor.
Siguria evropiane dhe aziatike mbeten të ndërlidhura, deklaroi Përfaqësuesja e Lartë i BE-së për Punët e Jashtme ndërsa fliste në një panel mbi sigurimin e stabilitetit global.
“Siguria jonë është shumë e ndërlidhur dhe ajo që duhet të bëjmë që të mos ndodhë skenari më i keq, është se ne me të vërtetë duhet të mbrojmë ligjin ndërkombëtar sepse kjo thotë gjithçka”, shpjegoi Kallas.
Ajo foli pasi Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, paralajmëroi për rritjen e presionit ushtarak dhe ekonomik që vjen nga Kina.
Në fjalimin e tij në konferencë, ai i siguroi aleatët në Indo-Paqësor se nuk do të liheshin vetëm, ndërsa këmbënguli që ata të kontribuojnë më shumë në mbrojtjen e tyre.
Hegseth tha se Uashingtoni do të forconte mbrojtjet jashtë shtetit për t’iu kundërvënë asaj që SHBA-të e shohin si një kërcënim në rritje nga Kina – veçanërisht në qëndrimin e saj ndaj Tajvanit.
Kina nuk e njeh pavarësinë e Tajvanit. Presidenti kinez Xi Jinping nuk e ka përjashtuar marrjen e tij me forcë. Kina dërgon rregullisht aeroplanë dhe anije ushtarake pranë Tajvanit, dhe aktualisht ka një aeroplanmbajtëse në juglindje të ishullit.
Ai u kërkoi vendeve të Indo-Paqësorit të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në nivele të ngjashme me 5% të produktit të tyre të brendshëm bruto, që vendet evropiane që janë pjesë e NATO-s tani janë të detyruara të kontribuojnë. /Telegrafi/