Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka shënuar sot dështimin e 22-të. Dështimet kanë filluar që nga data 19 prill 2025, kur Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit. Në seancën e 19 prillit, Haxhiu mori 57 vota pro, 19 kundër dhe 3 abstenime, duke mos arritur shumicën e nevojshme prej 61 votash për t’u zgjedhur.
Seanca u ndërpre dhe u caktua një vazhdim pas 48 orësh, më 21 prill. Në këtë seancë, Haxhiu mori sërish 57 vota pro, ndërkohë që 47 deputetë votuan kundër dhe 3 abstenuan, duke e bërë të pamundur zgjedhjen e saj, transmeton Telegrafi.
Seanca e tretë e dështuar u shënua më 23 prill, për të vazhduar më pas me dështime të njëpasnjëshme çdo 48 orë.
Ndërkohë që emri i Haxhiut u hodh disa herë në votim dhe nuk kaloi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, më 1 maj propozoi që votimi për kryeparlamentaren të bëhet në mënyrë të fshehtë, propozim ky që nuk kaloi as në seancën e 22-të, e cila u mbajt sot, më 27 maj.
Derisa deputetët nuk arrijnë të konstituojnë legjislaturën e nëntë, ata vazhdojnë të marrin pagën e plotë të deputetit, pasi kishin arritur marrëveshje që të votohet raporti për verifikimin e mandatit të deputetëve.
Në pothuajse të gjitha seancat e mbajtura çdo 48 orë, deputetët janë angazhuar vetëm për rreth tre minuta, aq sa edhe ka zgjatur seanca.
Mbetet të shihet se sa do të zgjasë ky “komoditet” i deputetëve, ku me një llogaritje të thjeshtë, rezulton se ata marrin pagën e plotë për rreth një orë punë në muaj.
Përveç pagës, deputetët kanë edhe përfitime tjera.
Ndryshe, zvarritja në konstituimin e legjislaturës së nëntë po ndodh për shkak se partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun si kandidate për kryeparlamentare, por nuk po arrin të sigurojë votat e nevojshme për këtë post.
Subjektet politike LDK, PDK dhe AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërkohë, Vetëvendosje ka thënë se nuk do të propozojë një kandidat tjetër.
Se deri kur do të zgjasë ky ngërç i krijuar në Kuvend, mbetet të shihet gjatë ditëve në vijim.