Bizneset që u dëmtuan në janar të vitit 2023 nga vërshimet në komunën e Skenderajt, edhe pas dy vitesh, nuk janë kompensuar ende nga Qeveria e Kosovës. Kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, në një bisedë për Albanian Post, ka thënë se arsyet për të cilat nuk ka ndodhur rimbursimi mbeten të panjohura, ndërsa ekzekutivi nuk ka dhënë përgjigje lidhur me këtë çështje.
“Ne jemi harruar nga Qeveria dhe shteti“, thotë Lirdon Geci për Albanian Post, biznesi i të cilit pësoi dëme nga vërshimet para dy vjetësh, me humbje që arrijnë në qindra mijëra euro.
Në janar të vitit 2023, Skenderaj ishte njëra ndër komunat që pësoi më shumë nga vërshimet, duke shkaktuar dëmtime të mëdha në ekonomitë familjare, biznese, kulturën bujqësore dhe infrastrukturën rrugore.
Kanë kaluar dy vjet dhe, ndonëse një numër i madh biznesesh u dëmtuan në komunë, ato ende nuk kanë pranuar asnjë ndihmë financiare nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Nga llogaritjet përkatëse të kryera nga Skenderaj, Mitrovica, Klina dhe Istogu, dëmet arritën vlerën e mbi 7.8 milionë eurove.
Kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, në një bisedë për Albanian Post sqaron se raportet e vlerësimit ishin verifikuar dhe proceduar, por që nga ekzekutivi ende nuk është ofruar asnjë ndihmë për këto biznese.
Nura thekson se arsyet përse nuk është bërë një veprim i tillë për nivelin lokal janë të panjohura, pasi ndihmë është kompensuar vetëm për familjet që patën pasoja.
“Po, ato janë të sakta. Kërkesa është bërë që një kohë, raportet e vlerësimit përmes procedurës ligjore janë verifikuar dhe proceduar. Nga informacionet që kam, bizneset ende nuk janë kompensuar fare, ndërsa infrastruktura publike gjithashtu nuk është financuar, përveç ekonomive familjare, të cilat janë kompensuar deri diku, rreth 80 për qind; përndryshe, dëmet e tjera nuk janë kompensuar”.
“I kemi të ndara në kategori; infrastruktura publike është rreth 6 milionë, ndërsa për bizneset i kemi të gjitha të regjistruara në semestër”, thotë Nura për AP.

Kryetari i komunës së Skenderajt shton se qeveria ka pasur obligim t’i kompensojë edhe bizneset.
“Është pak e çuditshme, pasi ligji e përcakton autoritetin qendror që t’i kompensojë. Ne kemi përpjekur në masën që na ka takuar për t’u dalë në ndihmë, por kjo është detyrim i Qeverisë në raste të tilla”.
Ngjashëm si Nura, thotë edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
“Po, kjo është për shkak të neglizhencës në nivelin qendror, dhe si pasojë, bizneset nuk kanë mundur të përfitojnë nga shteti”, deklaron Ibrahimi për AP.
Albanian Post ka dërguar pyetje edhe në Qeveri për t’u informuar lidhur me arsyet pse bizneset nuk janë kompensuar, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje për këtë çështje.
Avokati dhe njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ardian Bajraktari, në një përgjigje për Albanian Post thotë se nuk ka një afat kohor të përcaktuar për kompensimin e dëmeve materiale.
Megjithatë, në rastin e Komunës së Skenderajt, kompensimi do të duhej të bëhej, pasi kjo komunë ka një buxhet të kufizuar dhe përkrahja nga niveli qendror është e domosdoshme.
“Veprimet e tilla nga fuqia madhore e të cilat rezultojnë me dëme janë të paparashikueshme, andaj komunat në përgjithësi e aq me tepër kur kemi të bëjmë me komuna të vogla dhe me pak buxhet siç është rasti me komunën e Skenderajt është e pamundur mbulimi i këtyre dëmeve. Prandaj është e nevojshme mbështetje nga organet e nivelit qendror”, thotë Bajraktari për Albanian Post.
Sipas tij, kjo situatë pasqyron mungesën e vullnetit politik nga niveli qendror për të ofruar ndihmë.
“Duke qene se veprimet përkatësisht dëmi është shkaktuar në vitin 2023, kurse tashmë jemi në vitin 2025, fakti se akoma nuk janë kompensuar këto dëme, nënkupton mungesë të vullnetit politik të nivelit qëndro për të ndihmuar, përkatësisht kompensuar këtë dëme”.
Si u bë vlerësimi i dëmeve?
Qeveria, konkretisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka pasur komisione që kanë punuar gjatë tërë vitit 2023 për vlerësimin e dëmeve që ishin shkaktuar nga vërshimet në janar.
Bizneset e dëmtuara ua kishin dëshmuar me fakte vlerën e dëmeve, duke u miratuar nga komisionet e nivelit lokal dhe nivelit qendror.
Vlera financiare kishte kaluar fillimisht në një vlerësim të komisionit lokal, duke e kthyer sërish në rivlerësim në një komision të nivelit qendror, e më pas duke e miratuar.

Në janar të 2023-së, situata më e rënduar ishte në pjesën perëndimore, veriperëndimore, dhe veriore të Kosovës.
Në qershor të atij viti, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Albin Kurti premtoi se vendi do të fillojë të hartojë “strategjinë e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike”.
Ai tha se Kosova është duke lobuar për të siguruar që të ketë qasje të drejtpërdrejtë në fondet për këtë qëllim.
“Ndërtimet në zonat me rrezik nga përmbytjet dhe mungesa e sistemeve të drenazhit në disa zona urbane kontribuojnë për të keq në rritjen e pasojave nga përmbytjet e shpeshta”, tha Kurti.
Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.
Gjatë viteve të kaluara vazhdimisht është raportuar për dëme në shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë.