Njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, ka ngritur shqetësime rreth të ardhmes së sigurisë dhe stabilitetit global, duke e vendosur Kosovën në qendër të një diskutimi hipotetik për ndryshimet e mundshme në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka theksuar se në një të ardhme jo shumë të largët, NATO dhe BE mund të mos ekzistojnë në formën që i njohim sot, duke ngritur pyetjen: “A është Kosova gati për Botën e Re?”
“NATO dhe Bashkimi Europian, hipotetikisht, munden mos me ekzistu ose me qenë krejt ndryshe prej çka i njohim sot pas apo brenda 10 viteve. Si kishte me u adaptu Kosova në një situatë të tillë?”
Sipas tij, administrata e Donald Trump po shqyrton mundësinë që vendet evropiane të rrisin buxhetin e mbrojtjes deri në 5% të GDP-së së tyre, ndërsa SHBA është duke ndryshuar strategjinë e saj mbrojtëse. Kjo, sipas Muharremit, mund të çojë në një rënie të interesimit amerikan për NATO-n në të ardhmen.
“Administrata e Trump po mendon me kërku që vendet europiane me e çu deri në 5% të GDP buxhetin për mbrojtje, derisa ajo po e ndryshon strategjinë mbrojtëse të saj (që nuk duket NATO me qenë në qendër). SHBA, me shkurtimet dramatike në buxhetin e Pentagonit dhe rimodelim të strategjisë së mbrojtjes dhe sigurisë mundet me mos qenë ma e interesume për NATO në të ardhmen”.
Përveç NATO-s, Muharremi ka analizuar edhe rritjen e partisë ekstremiste të djathtë AfD në Gjermani, duke theksuar se nëse kjo parti vazhdon të rritet dhe arrin të zbatojë planin e saj për t’u tërhequr nga BE, atëherë blloku evropian do të përballej me një krizë të madhe ekzistenciale.
“Në anën tjetër, AfD është rritë gati 100% në Gjermani, duke kapë rreth 20% të përkrahjes tani. Nëse AfD vazhdon me u rritë (që nuk është hiç e pamundur në këtë kontekst global), ata kanë në plan me u tërheq prej BE-së. Pa Gjermaninë, që e financon më së shumti, BE nuk besoj që ekziston më në këtë formë”, tha ai.
Duke marrë parasysh këto zhvillime, ai ngriti pyetjen nëse Kosova ka menduar për një plan të veprimit nëse këto ndryshime ndodhin brenda dekadës së ardhshme.
“A ka mendu Kosova çka duhet me bo nëse këto dy skenarë ndodhin brenda 10 viteve? Ndikimi mundet me qenë aq i thellë, saqë edhe nëse veç 5% ka gjasa me ndodhë, planifikimi duhet me fillu menjëherë për me u organizu për këtë skenar”, u shpreh ai.