BallinaUncategorizedOsmani tha se 50 mijë qytetarë aplikojnë për viza, mirëpo vetëm në...

Osmani tha se 50 mijë qytetarë aplikojnë për viza, mirëpo vetëm në ambasadën e Gjermanisë aplikojnë kaq

Ambasada Gjermane, ka bërë të ditur se në secilin muaj, nga dhjetori e këndej për një termin sipas procedurës së shortit janë regjistruar rreth 45 mijë deri në 55 mijë persona. Ndërkaq këtë javë presidentja Osmani ka thënë se janë rreth 50 mijë qytetarë që provojnë çdo muaj të largohen nga Kosova dhe aplikojnë për viza në ambasadat që gjenden në Kosovë. Mirëpo lirisht mund të thuhet se kjo deklaratë nuk qëndron, pasi numri prej 50 mijë aplikantëve është vetëm për ambasadën gjermane dhe jo për ambasadat e tjera, të cilat po ashtu pranojnë aplikime për viza pune nga kosovarët , shkruan Gazeta Metro.

Në një intervistë për ATV, presidentja Osmani ditë më parë ka thënë se edhe pse është brengosëse numri prej 50 mijë aplikantëve për viza, numri i tyre nuk shtohet çdo muaj.

“Neve na është qartësuar nga ambasadat respektive që 2-3 mijë aplikacione trajtohen por pastaj janë të njëjtit ata 50 mijë që aplikojnë përsëri, pra është një numër i njerëzve në masë të madhe që janë të njëjtit por që riaplikojnë deri sa të ju vijë radha dhe derisa të ju trajtohet aplikacioni sepse nuk ka kapacitete asnjë ambasadë t’i trajtojë 50 mijë. Në qoftë se prej 53-54 mijëve, 3-4 mijë trajtohen tani pas një kohe pas 2-3 muajve pak a shumë janë të njëjtit ashtu jemi informuar zyrtarisht nga ambasadat respektive. Pra pak a shumë po flasim për këtë numrin rreth 50 mijë. Por natyrisht edhe në këtë masë është brengosëse, prandaj për ne prioritet mbi prioritete duhet të jetë jeta e qytetarëve në mënyrë që sidomos gjeneratat e reja ta gjejnë perspektivën këtu”, ka thënë ajo.

Metro ka kontaktuar Ambasadën Gjermane ditë më parë dhe nga kjo ambasadë kanë thënë se në secilin muaj, nga dhjetori e këndej për një termin sipas procedurës së shortit janë regjistruar rreth 45.000 – 55.000 persona.

Ambasada ka treguar se për një muaj ata lëshojnë vetëm 500 deri në 800 termine, derisa të arrihet numri maksimal prej 5.500 viza për një vit për aplikuesit nga Kosova.

“Në fakt ambasada mund t’i ofrojë rreth vetëm 500 deri në 800 termine për aplikim në muaj, derisa të arrihet numri maksimal prej 5.500 viza për një vit për aplikuesit nga Kosova. Do të thotë në vitin 2022 gjithsej jo më shumë se 5.500 aplikues nga Kosova do të mund të marrin një vizë për nisje të punësimit sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor”, kanë thënë nga Ambasada për Metron.

Gjithashtu nga kjo ambasadë kanë thënë se shumica e regjistrimeve të reja për terminë bëhet fjalë për personat e njëjtë.

“Regjistrimet për termine, të cilat nuk kanë qenë të suksesshme, pas përzgjedhjes me anë të shortit duhet të fshihen. Kush do që dëshiron të marrë pjesë në procedurën e shortit për muajin e ardhshëm, duhet të regjistrohet sërish nga e para. Në këtë mënyrë sigurohet që kërkesat për termin janë edhe më tej aktuale. Mund të llogaritet në atë, se ata, të cilët nuk kanë pasur sukses në procedurën e shortit, të regjistrohen sërish në muajt e ardhshëm. Prandaj tek shumica e regjistrimeve të reja bëhet fjalë për personat e njëjtë, të cilët janë regjistruar në muajt paraprakë. Kështu që thjeshtë mbledhja e shifrave të regjistrimeve për të gjithë muajt çon në rezultate të gabuara, gjegjësisht çorientuese”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës gjermane për Metron ditë më parë.

Sipas kësaj, numri prej 50 mijë aplikantëve është vetëm për ambasadën gjermane dhe jo për ambasadat e tjera, të cilat po ashtu pranojnë aplikime për viza pune nga kosovarët. Pra ajo që ka thënë presidentja Osmani nuk qëndron, pasi në Kosovë, aplikohet edhe për viza të shteteve të tjera të zonës Schengen. /gazetametro.net