Presidenti amerikan, Joe Biden, kishte parashikuar më 19 janar të këtij viti që Rusia do ta sulmonte Ukrainën.
“Nuk jam i sigurt nëse [presidenti rus Vladimir Putin] është i sigurt se çfarë do të bëjë. Supozimi im është që ai do të futet [në Ukrainë]”, kishte thënë Bideni në një konferencë për shtyp.
Mirëpo, kjo deklaratë e Bidenit binte ndesh me qëndrimin e asokohshëm të homologut të tij ukrainas, Volodimir Zelensky-t, i cili më 20 shkurt kishte kërkuar nga populli i tij që të rrijë i qetë dhe të mos bëjë panik sepse “gjithçka ishte nën kontroll”.
“Çfarë ka të re këtu? A nuk është ky realiteti në të cilin po jetojmë tash e tetë vjet? A nuk ka filluar invazioni më 2014?”, kishte thënë Zelensky.
“Këto rreziqe kanë ekzistuar për shumë gjatë. Nuk janë rritur. Ajo që është rritur është mania e lajmeve. Nuk po sulmohet tash toka jonë – por nervat tona. Ata po provojnë që të na bëjnë të ndihemi në ankth gjatë gjithë kohës”.
Edhe tetë ditë më pas, Zelensky kishte kërkuar që të mos bëhej panik ndonëse trupat ruse qenë afruar në kufijtë e Ukrainës.
Ai madje u kishte thënë reporterëve që paralajmërimet për invazion po e vinin në rrezik ekonominë e vendit.
“Pasi që Shtëpia e Bardhë e kupton që rreziku ekziston, ata vazhdojnë së artikuluari këtë gjë, ata vazhdojnë ta mbështesin këtë temë, këtë subjekt, dhe e bëjnë sa më akute dhe sa më djegëse që është e mundur”, kishte thënë Zelensky përmes një përkthyesi në një konferencë gati 90 minuta të gjatë.
“Sipas mendimit tim, ky është një gabim”.
“Ka sinjale edhe nga liderë të respektuar të shteteve, ata vetëm thonë që nesër do të ketë luftë. Kjo është panik – sa shumë i kushton kjo vendit tonë?” ka thënë Zelensky.
“Nuk kemi një Titanik këtu. Nuk e konsideroj që situata tash është më e tensionuar se më parë. Ka një ndjenjë jashtë se këtu ka një luftë. Por nuk është poenta këtu”.
“Nuk po them që eskalimi është i pamundur, por që nuk kemi nevojë për këtë panik”.