Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka pritur në takim të ngarkuarin e ri me punë pranë Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka, raporton Gazeta Express.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se ministri Latifi uroi të ngarkuarin e ri, Yamanaka për detyrën e re dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë për sistemin shëndetësor e në veçanti për përkrahjen konkrete në përgjigjien kundër Covid-19.
“Japonia vazhdon të jetë një nga partnerët më të fuqishëm të Kosovës në shëndetësi dhe për këtë u jemi shumë mirënjohës”, theksoi Ministri Latifi, duke shprehur njëherësh gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral në fusha me interes të përbashkët, si në atë të trajnimit postdiplomik për studentët e mjekët e rinj, si në Kirurgji e në fushat tjera mjekësore.
Nga ana e tij, Yamanaka konfirmoi përkushtimin për nxitjen dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve miqësore ndërmjet Japonisë dhe Kosovës, e të vazhdoj tutje mbështetjen për projektet që për qëllim kanë avancimin e shërbimeve shëndetësore.