Shqetësimet janë shtuar gjatë javës së kaluar dhe shkencëtarët tani janë të bindur se ky variant përhapet më lehtë.
Por ka ende një pasiguri të madhe për përhapjen e variantit B.1.617.2.
“Kjo është një pyetje me të vërtetë kritike për të cilën ne ende nuk e kemi përgjigjen,” tha Prof Chris Whitty.
Sidoqoftë, grupi shkencor këshillues i qeverisë britanike për emergjencat (Sage), thotë se ekziston një “mundësi reale” që varianti indian mund të përhapet 50% më shpejt, që është shumë.
Ka disa vlerësime të tjera që vijnë nga India, të cilat thonë se trasmetueshmëria është 60%, por këto bazohen në sekuencat gjenetike të publikuara nga mostrat virale dhe nuk është e qartë se sa reale janë.
Sipas Sage, do të ishte vërtet problem një variant 40% më i transmetueshëm pasi do të sillte një ringjallje të shtrimeve në spital.
Pasiguria të kujton vitin e kaluar kur u zbulua për herë të parë varianti i ri në Kent dhe ngriti pyetje në lidhje me mundësitë për të kontrolluar virusin.
Megjithatë, është e rëndësishme të kujtojmë se nuk jemi në të njëjtën situatë me vitin e kaluar.

