Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Haxhi Shala, sot ka dalë para prokurorit në Dhomave të Specializuara për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Shala në Hagë është mbrojtur në heshtje duke mos komunikuar fare prokurorin.
“Po mirë shkoj. Është një e drejtë e çdo njërit që i cili është i dyshuar, me ftesë si i dyshuar ta shfrytëzoj të drejtën që të mos deklarohet por të mbrohet në heshtje. Edhe unë e shfrytëzova këtë dhe nuk pat nevoje se 15 minuta që të jem brenda në prokurori, në Dhomat e Specializuara”.
Deputeti i AAK-së në një lidhje direkte në Klan Kosova tha se nuk e ka të qartë se pse është ftuar si i dyshuar.
“Përderisa nuk kam asgjë të qartë pse jam i dyshuar atëherë pse të flas unë për diçka që nuk ekziston. Për këtë arsye me rekomandim të avokatit vendosa që të mbrohem në heshtje”. Nuk kam mundur asgjë të marrë. Përderisa unë nuk kam pasur kontakt me prokurorin. Avokati më herët ka kontaktuar me prokurorin për tu njohur me lëndën pse klienti i tij është i dyshuar, në këtë rast unë jam i dyshuar”.
“Dhe me rekomandim të tij unë kam vendosur që të mbrohem në heshtje. Jo, nuk kemi marrë asgjë nga prokurori. Përderisa ne sot nuk komunikuam dhe u mbrojtëm në heshtje, nuk kemi marrë asgjë. Ndoshta ndonjë ditë tjetër, por nuk e besoj që do të ketë diçka as në të ardhmen”.