Ditë më parë 15 shtëpi të lagjes Hoxha në fshatin Plluzhinë janë bërë me ujë të pijshëm .
“Pas kërkesës që Komuna e Skenderajt ka marrë nga banorët e lagjes Hoxha, në fshatin Plluzhinë, për mungesë të ujit të pijshëm, dje në bashkëpunim me organizatën “Qëndresa Kosovare”, Komuna e Skenderajt ka zgjidhur problemin e kësaj lagje, duke bërë hapjen e pusit, përmes të cilit do të furnizohen me ujë të pijshëm 15 familje të kësaj lagje”, kishte shkruar Bekim Jashari, kryetar i Skenderajt.
Por ndaj këtij njoftimi ka reaguar Hysni Mehani, kryetar i VV-së në Skenderaj.
Sipas Mehanit, kryetari Jashari është dashur që të përmend asamblisten Vjollca Ramadanin e cila ishte e para që e ka ngritur këtë problem madhor për banorët e fshatit Plluzhinë.
Lexojeni të plotë reagimin e Hysni Mehanit:
Për hir të korrektësisë!
Kërkesat e banorëve të lagjes Hoxhaj po binin në vesh të shurdhër që një kohë të gjatë. Ishte asamblistja Vjollca Ramadani që këtë çështje e ngriti disa herë dhe më në fund ai vesh i shurdhër dëgjoi.
Sikur të ishte ndonjë asamblist i PDK-së, kryetari i “pavurur” do t’i thurte elozhe atij asambslitit e mandej ai asamblisti do t’ia kthente. Vjollca me një seancë pat thënë: nuk po e di a jemi në seancë të Kuvendit Komunal apo në emisionin urime dhe përshëndetje.”
Na vjen mirë kur kryhet ndonjë punë e mirë, urime dhe përshëndetje nuk bëjmë sepse nuk ke pse falenderon dike kur bën punën për të cilën është i thirrur.
Asgjë nuk do ta ligte kryetarin nëse do thoshte se i ishte përgjigjur edhe kërkesës se një asamblistje.
E rëndësishme në këtë mes që banorëve u është bërë zgjidhje.
Korrektësia është çështje vullneti.