Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot komunën e Suharekës, në 20-vjetorin e themelimit të Degës së kësaj partie në këtë komunë.
Nga atje Haradinaj ka folur edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit për mandatarin e qeverisë “Hoti”. Haradinaj ka thënë që gjasat reale që të votohet kjo qeveri janë nesër, raporton Front Online.
“Tani mendoj që është momenti që Gjykata Kushtetuese të publikojë vendimin zyrtar, e që i hap rrugë procedurave. Asgjë tjetër nuk ka mbetur, vetëm proceduralisht. Kështu që po presim që me publikimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese, që të thërrasim seancë. Mundësia reale është që nesër të thërrasim seancën. Me shpresë që nesër. Misioni i kësaj qeverie do të jetë shpëtimi i ekonomisë së vendit. Ka ndodhur një goditje e rëndë për ekonominë e vendit nga periudha që shkoj”, ka thënë ai.
Për sa i përket emrave të ministrave që do t`i ketë AAK-ja, në qeverinë “Hoti”, Haradinaj ka thënë që është një ekip që meriton mbështetje.
“Blerim Kuçi, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Ambient dhe Planifikim Hapësinor, Meliza Haradinaj, Ministre e Punëve të Jashtme, Ramë Lika ministër i Arsimit, Selim Selimi, Ministër i Drejtësisë si dhe zëvendëskryeministër është Besnik Tahiri, është një ekip e suksesshme njerëz që meritojnë mbështetjen e qytetarëve”, ka thënë Haradinaj para mediave pas vizitës që pati në komunën e Suharekës. /Front Online